Rama: Respektojmë vendimin e pezullimit për Ballukun, por shkojmë në Kushtetuese
Kryeministri Edi Rama komentoi vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) lidhur me pezullimin nga detyra të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh edhe zv.kryeministre, Belinda Balluku.,
Rama theksoi se qeveria do të respektojë vendimin dhe nuk do të hyjë në “beteja politike e retorike” me drejtësinë e re. Ai nënvizoi se mbrojtja e pavarësisë së gjyqësorit mbetet prioritet absolut, por cenimi i pavarësisë së ekzekutivit nga ky vendim do të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese.
Rama shtoi se pezullimi i një ministri dhe zv.kryeministre përbën një ndërhyrje në pavarësinë e ekzekutivit, por qeveria do të veprojë me “strategjinë e durimit dhe respektimit të pavarësisë së drejtësisë”.
“Nëse sot Shqipëria i ka hapur kapitujt për anëtarësim, ndër arsyet themelore është fakti se Shqipëria po lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar. Hetimet po kryhen në një epokë të re. Për arsyen konkrete: së pari, pavarësia e gjyqësorit nuk është as slogan, as një manovër politike, dhe as një eksperiment i përkohshëm, por është një shkëputje historike nga e kaluara. E realizuar vetëm në vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive, duke filluar nga zhdukja e kulturës mbi 100-vjeçare të pandëshkueshmërisë.
Së dyti, dua të theksoj se, pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin këto refleksione të vjetra antidemokratike të trupave të veçantë, mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e sistemit të drejtësisë janë parakusht për çdo qëndrim nga ana jonë, sepse kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pisët.
Së treti, pezullimi nga detyra i një ministri dhe zëvendëskryeministre është një tjetër shfaqje e një pushteti krejt të ri dhe e refleksioneve antidemokratike që përmenda më lart. Ky është një rast unik në historinë e Evropës dhe po ashtu edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë, ku nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mbledhin kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.
Por nëse një prokuror dhe një gjykatës special kanë vendosur të pezullojnë një ministër, kjo përbën një cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë së ekzekutivit, duke marrë kompetenca e Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit. Zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjia për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, një parakusht edhe në këtë rast ekstrem. Ne nuk mund t’i përgjigjemi arbitraritetit të këtyre rasteve me arbitraritetin tonë. Ne nuk angazhohemi në një betejë politike e retorike me drejtësinë, por do të vijojmë me durimin tonë strategjik, do të respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe do të kërkojmë mbrojtjen e funksionimit të qeverisë vetëm përmes drejtësisë, në Gjykatën Kushtetuese. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo ndërhyrja në drejtësi është prioriteti ynë absolut, edhe përballë situatave kaq flagrante”, tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu se Gjykata Kushtetuese do të vendos për të përcaktuar qartë kufijtë midis pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë.
“Vendimin ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj, bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk jemi në kushtet që, duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Për periudhën që flasim, Republika e Shqipërisë nuk ka zv/kryeministër dhe nuk ka një ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë që funksionon, kaq”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




