Situata hidrike në Elbasan drejt normalizimit, HEC Banjë ul shkarkimet, asnjë rrezik për përmbytje

Aktualitet | 11 muaj më parë

Pas reshjeve të ditëve të fundit, situata në qarkun e Elbasanit paraqitet e qetë dhe pa probleme për komunitetin. Dita e sotme është karakterizuar nga moti i vranët dhe me kthjellime, por fatmirësisht pa reshje shiu, çka ka ndihmuar në stabilizimin e nivelit të ujerave.

Gazetari i RTSH 24 raporton se sipas komunikimeve zyrtare me strukturat e Emergjencave Civile në të gjitha bashkitë e qarkut, nuk raportohen problematika në terren.

Lumenjtë dhe HEC Banjë

Të dhënat e fundit konfirmojnë se prurjet e lumenjve dhe përrenjve nuk paraqesin asnjë rrezik për dalje nga shtrati, duke shmangur kështu skenarët e përmbytjeve.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar menaxhimit të kaskadës së Devollit. Nga Hidrocentrali i Banjës njoftohet se shkarkimet janë ulur ndjeshëm.

Shkarkimet aktuale janë 150 m³/sek, ndërsa përpunimi për prodhimin e energjisë është në nivelin 100 m³/sek.

“Kompania “Devoll Hydropower” bën me dije se po monitoron situatën minutë pas minute për të garantuar sigurinë e digës dhe zonave përreth”, raporton gazetari i RTSH 24.

Një ndër zonat më të ndjeshme, ajo e Sulovës në Njësinë Administrative Mollas, nuk ka pësuar dëme. Autoritetet konfirmojnë se shkarkimet e kontrolluara nga HEC-i nuk kanë sjellë pasoja apo përmbytje në tokat bujqësore të kësaj zone, duke qetësuar fermerët dhe banorët vendas.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme