Akademiku Shpëtim Memishi denoncon pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës dhe apelon për mbështetje nga qeveria shqiptare dhe ajo kosovare

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në emisionin “Tema e Ditës” të drejtuar nga gazetari Arbër Hitaj, u diskutua gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku i ftuar ishte akademiku Prof. Dr. Shpëtim Memishi.

Akademiku Memishi ka ngritur shqetësimin për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se politika e pasivizimit të adresave po u mohon të drejtën e identitetit dhe pjesëmarrjes në zgjedhje.

Në këtë kontekst, Memishi ka bërë apel të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që të angazhohen më shumë për të sjellë investime dhe biznese në rajon.

Ai paralajmëroi se kjo praktikë, e trashëguar nga qeveritë serbe, po i detyron të rinjtë shqiptarë të largohen nga vendlindja për shkak të mungesës së perspektivës.

“E drejta e tyre po cënohet përditë nga regjimi i Vuçiç, për shkak të një politike të ndjekur për t’i detyruar të largohen dhe për t’i dekurajuar të jetojnë në Luginën e Preshevës.

Sipas Memishit, një nga problemet më të mëdha është pasivizimi i adresave, i cili u mohon qytetarëve të drejtën për të vazhduar dokumentet si banorë të Preshevës.

Kjo sjell humbjen e identitetit dhe ul fiktivisht numrin e shqiptarëve në zgjedhje, duke pamundësuar pjesëmarrjen e tyre në procesin e votimit. Po ashtu, mungesa e një adrese banimi e bën të pamundur punësimin e çdo qytetari.

 “Nuk mund të kesh identitet që je shqiptar dhe kjo, kur vjen momenti i zgjedhjeve, e ul fiktivisht numrin e shqiptarëve dhe pamundëson pjesëmarrjen e tyre në procesin e votimit,” tha ai, duke shtuar se, “mungesa e një adrese banimi e bën të pamundur punësimin e çdo qytetari.

Akademiku shtoi se kjo politikë është trashëguar nga qeveritë e mëparshme serbe dhe se në këto krahina mungojnë financimet, vendet e punës dhe investimet publike.

Ai paralajmëroi se situata është serioze, pasi rinia shqiptare sapo mbaron shkollën e mesme nuk sheh perspektivë dhe largohet drejt emigrimit.

“Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj nuk ka financime, nuk ka vende pune, por më e keqja është pasivizimi i adresave,”  theksoi Memishi.

Ai shpjegoi se pa adresë banimi, qytetarët nuk mund të marrin as mjet identifikimi si pasaporta.

Gjithashtu paralajmëroi se rinia shqiptare sapo mbaron shkollën e mesme nuk sheh perspektivë dhe largohet drejt emigrimit.

Një tjetër problem i madh, sipas Memishit, është mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës, e cila pengon të rinjtë shqiptarë të vazhdojnë studimet apo të punësohen.

 “Kur nuk ke një adresë banimi, personi nuk mund të mbajë dot as mjet identifikimi sikurse është pasaporta,” – shpjegoi Memishi, duke shtuar se kjo sjellje është e njëjtë me politikat serbe para viteve ’90.

Akademiku kujtoi se edhe Bashkimi Europian ka reaguar për këtë çështje, por pa arritur të ndalojë procesin e pasivizimit, i cili është shumë i dëmshëm. Numri i shqiptarëve në këto krahina llogaritet mbi 60 mijë, por një pjesë e madhe është në emigrim dhe kjo shifër po rritet çdo vit.

“Edhe nga Bashkimi Europian kemi pasur reagim, por nuk është bërë e mundur ndalimi i këtij procesi që është shumë i dëmshëm,”  tha Memishi, duke shtuar se numri i shqiptarëve në këto krahina është mbi 60 mijë, por një pjesë e madhe është në emigrim.

I pyetur për mbështetjen e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, Memishi tha se “Qeveria e Kosovës së bashku me qeverinë e Shqipërisë ndanë fonde për ndërtimin e spitalit, mirëpo deri më sot nuk kanë pasur efekt, përveç një rinovimi që është në ambulancën e Preshevës.”

Ai shtoi se edhe shpërndarja e donacioneve për bujqësi është ndaluar nga qeveria serbe, pasi vijnë nga Kosova.

Në fund, Memishi apeloi për më shumë ndihmë nga qeveria shqiptare dhe ajo kosovare, duke kërkuar sjelljen e bizneseve në Luginën e Preshevës.

“Lugina është një territor shumë i mirë sepse kufizohet me tri shtete, Serbinë, Maqedoninë dhe Kosovën. Nëse sjellim biznese në Preshevë, me fuqi punëtore dhe paga të arsyeshme, do të krijohej më shumë punësim për gjithë komunitetin atje,”  përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme