Sfidë speciale për Taren, cilat janë goditjet e mëdha në merkato që i dhanë emër te Lazio

Igli Tare ka një lidhje të ngushtë me Lazio-n. Fillimisht si lojtar dhe më pas si drejtues, ai ka kaluar shumë vite te kundërshtari i sotëm i Milanit. Drejtori sportiv shqiptar bëri emër te klubi i Lotitos, ndërsa në qershor të këtij viti zbarkoi te Milan me objektivin për ta kthyer në nivelet më të larta.
Gjatë 15 viteve që ka kaluar si drejtor sportiv i Lacios, Tare ka marrë vëmendje me intuitën e tij në merkato, duke marrë lojtarë me kosto të ulët dhe që më pas kanë mbushur arkat e klubi, ose kanë rezultuar të dobishëm për skuadrën bardhekaltër.

Një shembull është sulmuesi Ciro Immobile, i cili u ble nga Tare për 9 milionë euro. Ai shkroi historinë me Lazio-n, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Drejtuesi shqiptar ka bërë mjaft transferime interesante, ku spikat ajo e Keita Balde. Sulmuesi u ble për pak më shumë se 300 mijë euro dhe pastaj u rishit për 30 milionë euro te Monaco.
Mes shumë lëvizjeve të tjera të bujshme të Tares në epokën e tij te Lazio, mund të përmenden ato të Sergej Milinkovic-Savic, Stefan De Vrij, Mauro Zarate, Luis Alberto, Hernanes, Joakim Correa, Felipe Anderson, Senad Lulic, Miroslav Klose, Lukas Biglia dhe Antonio Candreva.
Nuk janë vetëm lojtarët. Igli Tare ka meritën edhe për faktin se i dha mundësinë e parë në Serinë A trajnerit Simone Inzaghi, aktualisht një nga më të mirët në qarkullim.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




