Moscertifikimi i Listës Serbe, BE: Politizimi i KQZ-së, i dëmshëm për Kosovën

Kosovë | 11 muaj më parë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

BE-ja thekson se politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe subjektet e tjera politike dëmton procesin zgjedhor dhe bie ndesh me standardet ndërkombëtare.

“BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit.

Politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, shkruan ambasada e BE në Kosovë në facebook.

KQZ-ja nuk e certifikoi Listën Serbe, partinë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë dhe të vetmen që gëzon mbështetjen e Beogradit, pasi rekomandimi për certifikim mori vetëm dy vota pro, dy kundër dhe shtatë abstenime.

Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ votuan kundër certifikimit të Listës Serbe, ndërkohë përfaqësuesit e partive të tjera, PDK, LDK dhe AAK, abstenuan nga votimi.

Lista Serbe ka të drejtë ta ankimojë këtë vendim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme