Deputetja Vokshi në Kopenhagen: Shqipëria duhet të ecë drejt standardeve europiane. BE, jo e plotë pa Ballkanin Perëndimor

Politikë | 11 muaj më parë

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka marrë pjesë në punimet e plenarit të 74 të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Europian (COSAC) të mbajtur në Kopehagen në 30 nëntor 2025, ku ka mbajtur një fjalë mbi rrugën europiane të Shqipërisë dhe rëndësinë e standardeve demokratike në procesin e integrimit.

Në këtë takim ishin të pranishëm të gjithë kryetarët e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Europian dhe qindra parlamentarë.

Në fjalën e saj, Vokshi u shpreh se aspirata e Shqipërisë është të bëhet një vend i krahasueshëm me Danimarkën.

Duke folur para përfaqësuesve të parlamenteve kombëtare të vendeve të BE-së dhe eurodeputetëve, Vokshi nënvizoi se Evropa nuk mund të jetë e plotë dhe e sigurt pa Ballkanin Perëndimor.

Vokshi u bëri thirrje institucioneve europiane të vijojnë mbështetjen për reformat që garantojnë sundimin e ligjit, pavarësinë e drejtësisë, lirinë e medias dhe integritetin zgjedhor, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i bazuar në meritë dhe progres të matshëm sipas kritereve të Kopenhagës.

“Vetëm duke garantuar drejtësi të vërtetë, zgjedhje konkurruese, institucione funksionale dhe respektimin e të drejtave themelore, një vend mund të jetë kontributor i denjë në Bashkimin Europian”, u shpreh deputetja Albana Vokshi, duke shtuar se Shqipëria mund t’i arrijë këto standarde me mbështetjen e partnerëve europianë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme