Raporti i Hetimit, Londra fajëson zyrtarisht Putinin për sulmet me “Novichok”, sanksione të reja ndaj GRU-së

Europë | 11 muaj më parë

Britania e Madhe ka ndërmarrë hapa të ashpër diplomatikë dhe sanksionues ndaj Rusisë këtë të enjte, pas publikimit të përfundimeve të hetimit zyrtar për sulmet me agjent nervor në vitin 2018. Qeveria britanike njoftoi sanksionimin e agjencisë së inteligjencës ushtarake ruse (GRU) dhe thirri urgjentisht ambasadorin e Moskës, pasi hetimi konkludoi se Presidenti Vladimir Putin ishte përgjegjës për ngjarjen e rëndë në tokën britanike.

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Anthony Hughes, i cili drejtoi hetimin për vdekjen e shtetases britanike Dawn Sturgess, deklaroi se tentativa për eliminimin e ish-spiunit Sergei Skripal “duhet të jetë autorizuar në nivelin më të lartë, nga Presidenti Putin”.

Hughes arriti në përfundimin se Sturgess, e cila humbi jetën, ishte “një viktimë e pafajshme e një përpjekjeje nga oficerët e një organizate shtetërore ruse për të kryer një atentat në rrugët e Salisbury-t, duke përdorur një agjent nervor shumë toksik”.

Sanksionet dhe reagimi i Starmer

Si përgjigje, Londra vendosi sanksione tërësore ndaj GRU-së për akte të cilësuara si “të pamatura”. Masat përfshijnë edhe tetë oficerë të dyshuar të inteligjencës kibernetike, të cilët sipas Ministrisë së Jashtme, kishin shënjestruar Yulia Skripal vite para sulmit fizik.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili ndodhej në një vizitë në Skoci, tha se gjetjet e raportit janë dëshmi e “aktivitetit armiqësor tronditës dhe të pamatur të Rusisë”.

“Kjo përforcon arsyen pse duhet të mbetemi vigjilentë ndaj kërcënimit gjithnjë e më të përhapur që vjen nga Putini dhe nga Rusia,”, theksoi Starmer.

Ngjarja e vitit 2018 nisi kur ish-oficeri i GRU-së, Sergei Skripal (i cili kishte spiunuar për Britaninë) dhe vajza e tij Yulia, u helmuan pasi agjenti nervor “Novichok” ishte vendosur në dorezën e derës së tyre. Të dy mbijetuan, ashtu si edhe polici Nick Bailey që ndërhyri.

Tragjedia u thellua tre muaj më vonë, kur Dawn Sturgess, 44 vjeçe, dhe partneri i saj Charlie Rowley, gjetën një shishe parfumi të hedhur që përmbante helmin vdekjeprurës. Sturgess vdiq disa ditë pasi spërkati kyçin e dorës me lëngun toksik.

Familja e viktimës Sturgess, përmes një deklarate, fajësoi Rusinë për “përpjekjen mizore dhe cinike”, por nuk kursen as autoritetet britanike. Ata u shprehën se dështimi i inteligjencës vendase për të vlerësuar rrezikun që paraqiste prania e Skripalit “e vuri publikun britanik në rrezik dhe çoi në vdekjen e Dawn”.

Nga ana tjetër, Moska ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje. Vetë Vladimir Putin, në vitin 2018, e kishte cilësuar Skripalin si “thjesht një pleh” pa interes për Kremlinin. Britania ka ngritur akuza ndaj tre agjentëve të GRU-së, por mungesa e marrëveshjes së ekstradimit me Rusinë e bën të pamundur gjykimin e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme