Spiropali pret Zv.kryeministren e Moldavisë, bisedime për zgjerimin e BE-së dhe sigurinë europiane

Politikë | 11 muaj më parë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti sot në një takim Zëvendës Kryeministren për Çështjet Europiane të Moldavisë, Cristina Gherasimov.

Takimi u fokusua tek procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe mbështetja që Shqipëria i jep vendeve aspirante për anëtarësim.

Gjatë deklaratës së saj për mediat, Spiropali nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së si një politikë që garanton stabilitet dhe siguri në kontinent.

“Shqipëria beson se zgjerimi i BE është një nga mjetet më efikase për siguri dhe paqe në Europë,” tha ministrja Spiropali, duke shtuar se vendi ynë mbështet fuqimisht integrimin e plotë të Moldavisë dhe Ukrainës në familjen europiane.

Në vijim, ajo theksoi se përvoja e Ballkanit Perëndimor është një shembull i qartë se zgjerimi i BE-së është një proces që sjell zhvillim dhe konsolidim të demokracisë.

“Ashtu si për Ballkanin Perëndimor, ne mbështesim anëtarësimin e plotë të Moldavisë dhe Ukrainës në BE. Shqipëria është e bindur se ky është një hap i domosdoshëm për të garantuar paqe dhe siguri afatgjatë në Europë,” u shpreh Spiropali.

Ministrja vlerësoi gjithashtu vendosmërinë e qeverisë dhe popullit moldav për të rezistuar ndaj presioneve të jashtme dhe fushatave të dezinformimit.

“Duke vlerësuar sakrificën e jashtëzakonshme dhe vendosmërinë e qeverisë dhe popullit të Moldavisë për t’i rezistuar influencave malinje, presionit, fushatave të dezinformimit, për një vend të lirë, demokratik, në familjen europiane,” tha Spiropali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme