Bakajoko-Albanese, dyshja e Egnatias “kërcënon” Balajn në garën e “Këpucës së Artë”

Abissnet Superiore | 11 muaj më parë

Bekim Balaj, i cili sapo ka fituar çmimin “Topi i Artë 2025”, i ka humbur kontaktet me golin prej 5 javësh. Nga kjo ndalesë e gjatë e tij kanë përfituar sulmuesit e tjerë të Abissnet Superiore, duke iu afruar ndjeshëm kapitenit të Vllaznisë në listën e golashënuesve më të mirë.

Rreziku kryesor për veteranin Balaj vjen nga Egnatia. Dyshja Bakajoko-Albanese ka pasur një rendiment goxha të mirë javët e fundit. Bakajoko ka shkuar në kuotën e 6 golave, 1 më pak se Balaj, kurse Albanese, me dopietën ndaj Dinamo City, është ngjitur në kuotën e 5 golave.

Balaj është i paralajëmruar. Nëse sulmuesit e kampionëve në fuqi vazhdojnë me këtë ritëm dhe shkodrani nuk “zgjohet”, atëherë parakalimi mund të bëhet brenda 2025-ës, në dy ndeshjet e mbetura nga faza e dytë.

Skuadra rrogozhinase ka filluar të funksionojë më mirë se në fillim të sezonit, duke gjetur mekanizmat që e ndihmojnë sulmin për të shkuar te goli. Këtë fundjavë Egnatia pret Partizanin në Rrogozhinë, kurse Vllaznia përballet me Tiranën në kryeqytet.

Gara për golashënuesin më të mirë të kampionatit nuk është më pa rivalitet. Veç dyshes së Egnatias, janë afruar me Balajn edhe Dejvi Bregu i Dinamo City dhe Blaise Tsague i Elbasanit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme