Abissnet Superiore në RTSH: Selmani ndëshkon Teutën, Egnatia mbyll vitin në krye

Egnatia vuan, por arrin që të marrë një fitore të çmuar 1-0 në transfertë përballë Teutës, falë një goli të shënuar nga Kastriot Selmani në pjesën e dytë. Rrogozhinasit largohen me tre pikë nga “Niko Dovana” dhe mbyllin vitin 2025 të vetëm në krye të renditjes së Abissnet Superiores me 37 pikë pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit.
Ka qenë e bukur dhe e luftuar sfida e transmetuar drejtpërdrejt në RTSH 2. Teuta luan më mirë në pjesën e parë dhe vë në vështirësi rrogozhinasit. Vetëm goli i mungon skuadrës durrsake në pjesën e parë. Teuta shënon në pjesën e dytë, por ndërhyn VAR, që anulon golin e Jurgens. Menjëherë reagon Egnatia, që shënon gol me Kastriot Selmanin.
Loja bëhet e bukur me Teutën që hidhet në sulm në kërkim të barazimit, por pa arritur të shënojë. Golin e gjen Egnatia, por ndërhyn sërish VAR dhe anulohet për pozicion jashtë loje.
Mbyllet 1-0 për miqtë ndeshja në “Niko Dovana”. Egnatia merr një fitore të çmuar, ngjitet në kuotën e 37 pikëve në klasifikim dhe shpallet “kampione dimri”. Teuta ndalet pas 6 rezultateve pozitive radhazi, mbetet në kuotën e 25 pikëve dhe çon në 5 serinë e ndeshjeve pa fitore në kampionat.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



