Operacion masiv në Stamboll, parandalohen sulme të ISIS gjatë festave, mbi 100 të arrestuar

Forcat turke të sigurisë kanë ndërmarrë një goditje të gjerë ndaj celulave të dyshuara të Shtetit Islamik (ISIS) në Stamboll, duke shmangur plane për sulme terroriste që synonin të përgjaknin festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Në orët e para të së enjtes, oficerët e Departamentit të Antiterrorit të Policisë së Stambollit zhvilluan një operacion të koordinuar, duke bastisur njëkohësisht 124 lokacione të ndryshme në të gjithë qytetin.
Sipas Zyrës së Prokurorit Publik të Stambollit, aksioni u inicua pas marrjes së informacioneve të inteligjencës se organizata ekstremiste kishte lëshuar një “thirrje për veprim”.
Objektivi kryesor i sulmeve të planifikuara ishin komunitetet jo-muslimane dhe vendet e grumbullimit masiv gjatë ditëve festive.
Bilanci i deritanishëm i operacionit flet për 115 të arrestuar, nga 137 urdhër-arreste të lëshuara gjithsej nga prokuroria. Gjatë kontrolleve në banesa dhe strehimore, forcat policore kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh zjarri, municionesh, si dhe dokumente organizative që provojnë lidhjet me grupin terrorist.
Autoritetet turke bëjnë me dije se operacioni është ende në vazhdim për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim, ndërkohë që masat e sigurisë në metropolin turk janë forcuar ndjeshëm në prag të ndërrimit të viteve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




