Abissnet Superiore në RTSH/ Tirana “e re” jep sinjale pozitive, në pritje të Xhixhës

Pas ndryshimeve të mëdha të bëra në këtë merkato dimri, Tirana dha sinjalin e parë pozitiv të 2026-s me kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Edhe pse vuajti pak me Skënderbeun, duke e siguruar fitoren 2-1 pas kohës shtesë, skuadra bardheblu u duk ndryshe nga gjysma e parë e sezonit.
Në formacion e trajnerit Ardian Nuhiu luanin titullarë tre nga lojtarët e ardhur kohët e fundit, kostarikanët Alfaro dhe Rodriguez, si dhe sulmuesi Mysloviç, i cili debutoi me gol. Emanuel, i rikthyer te Tirana, u aktivizua nga stoli dhe “gatoi” golin e kualifikimit pas një inkursioni nga e majta.

Xhixha nuk luajti ndaj Skënderbeut për çështje dokumentesh dhe me ingranimin e tij në skuadër pritet që bardheblutë të jenë edhe më të fortë. Nëse deri në fund të merkatos së dimrit do të ketë edhe ndonjë afrim tjetër me peshë, Tirana ka shanse reale për të lënë vendin e fundit në renditjen e Abissnet Superiore. Kryeqytetasit kanë përforcuar të tre repartet, sidomos sulmin, pasi dihet që duhen gola për të siguruar mbijetesën.
Sfida e parë e fazës së tretë është në mesjavë kundër Bylisit dhe aty do të duket më mirë forca e Tiranës “së re”. Një rezultat pozitiv në Ballsh do të ishte një motiv i fortë në misionin e qëndrimit mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



