“Erasmus+” në Serbi – Programi i BE-së krijon mundësi të reja për të rinjtë serbë
Erasmus+ është një nga programet më të mëdha të Bashkimit Evropian që mbështet projekte në fushën e arsimit, trajnimit të të rinjve dhe sportit. Programi ka nisur në vitin 2014 dhe aktualisht po zbatohet për periudhën 7-vjeçare 2021-2027, me një buxhet rekord prej 26 miliardë eurosh. Programi u ofron të rinjve mundësinë të marrin pjesë në shkëmbime ndërkombëtare, trajnime dhe projekte bashkëpunimi, duke fituar përvoja të reja, njohuri dhe aftësi praktike.
Dragan Đorđević, pjesëmarrës në projektet Erasmus+, thotë se përfshirja në këto programe ka pasur ndikim të madh në zhvillimin e tij personal dhe profesional. Ai tregon se ka marrë pjesë në dy shkëmbime rinore, një në Sofje dhe një tjetër në malin Tara në Serbi. Këto përvoja sipas tij, i shërbyen si për zhvillimin e karrierës, ashtu edhe si një mundësi për të takuar të rinj nga vende të ndryshme.
Programi Erasmus+, i cili zbatohet nën kujdesin e Komisionin Evropian, synon të përfshijë sa më shumë të rinj dhe organizata, duke vënë theksin në gjithëpërfshirje, iniciativa të gjelbra dhe digjitalizim. Vedrana Marković nga Fondacioni “Tempus” nënvizon se programet ndërkombëtare si Erasmus+ kanë rëndësi të madhe, pasi sipas saj u japin pjesëmarrësve mundësinë të njohin kultura të ndryshme, vende të reja dhe të krijojnë bashkëpunime ndërkombëtare.
Serbia është pjesë e programit Erasmus+ që nga viti 2019, çka u mundëson institucioneve dhe organizatave vendase të aplikojnë për të gjitha llojet e projekteve, ashtu si vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




