Kundër Polonisë pa Brojën, sulmuesi kuqezi ka shanse minimale për Play-off-in e Botërorit

Kombëtarja | 8 muaj më parë

“Broja do të na mungojë disa javë”, – tha trajneri i Burnley, Scott Parker, në prag të ndeshjes kundër Chelsea, duke iu referuar situatës së sulmuesit shqiptar. Një deklaratë që përkthehet në një mungesë pothuajse të sigurt të Brojës për sfidën e Play-off-it të Botërorit kundër Polonisë në Varshavë.

Kjo ndeshje zhvillohet më 26 mars dhe sulmuesi 24-vjeçar ka pak më shumë se një muaj kohë. Deklarata e trajnerit Parker nuk ishte precize për kohën e rikuperimit të Brojës, por disa javë mund të jenë një muaj, ndoshta dhe më shumë.

Edhe nëse Broja rikthehet në stërvitje pas pak javësh, ai sigurisht që nuk mund të jetë 100% gati për Poloninë, sepse do t’i duhet të luajë për të kapur formën optimale. Duke llogaritur edhe kalvarin e dëmtimeve të tij, gjasat janë që sulmuesi të mos bëjë pjesë në strategjinë e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, për përballjen e rëndësishme me polakët.

Broja ka munguar në dy ndeshjet e fundit të Burnley-t për shkak të një shqetësimi fizik. Në rastin më optimist ai mund t’i bashkohet skuadrës angleze në mesin e marsit, ndërsa kuqezinjtë duhet të shohin zgjidhje të tjera në sulm për Play-off-in e Botërorit. Dëmtimet po shndërrohen në një makth të vërtetë për sulmuesin shqiptar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme