Silvinjo dhe stafi i tij ndjekin nga afër Muçin dhe kuqezinjtë e tjerë të Turqisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me ndihmësit e tij Doriva dhe Ervin Bulku, kanë zhvilluar gjatë kësaj jave një vizitë në Turqi për të ndjekur nga afër paraqitjet e lojtarëve të Kombëtares shqiptare me klubet e tyre.
Stafi teknik kuqezi ishte fillimisht i pranishëm në stadium për ndeshjen e Kupës së Turqisë mes Istanbul Başakşehir dhe Trabzonspor, ku ndoqi nga afër paraqitjen e sulmuesit Ernest Muçi. Futbollisti i Kombëtares shqiptare ishte titullar dhe qëndroi në fushë për 90 minuta.

Një ditë më pas, trajneri Silvinjo dhe stafi i tij ndoqën nga stadiumi edhe përballjen tjetër të Kupës së Turqisë mes Besiktas dhe Çaykur Rizespor.
Në këtë ndeshje u aktivizua mesfushori Kristjan Asllani, i cili u fut në lojë si zëvendësues në minutën e 78-të për Besiktas. Ndërkohë, në radhët e Rizespor është edhe mesfushori i Kombëtares Qazim Laçi, i cili në këtë takim qëndroi në stol.
Vizita në Turqi është pjesë e procesit të vazhdueshëm të monitorimit të lojtarëve të Kombëtares shqiptare nga stafi teknik, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e rëndësishme të play-off-it të Botërorit ndaj Polonisë.
Përmes këtyre vizitave, stafi i Kombëtares synon të mbajë kontakt të drejtpërdrejtë me lojtarët dhe të ndjekë nga afër formën e tyre në klubet respektive, në prag të sfidave të rëndësishme ndërkombëtare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




