“Marubi” çel sezonin e ekspozitave – “Regjistri Sociologjik” i Zofia Rydet, me portrete nga jeta e përditshme
Në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u çel ekspozita e parë për këtë vit, e dedikuar fotografes polake Zofia Rydet dhe projektit të saj “Regjistri Sociologjik”.
Ekspozita prezanton një nga sipërmarrjet më të rëndësishme dokumentare të fotografisë së shekullit XX, të nisur nga Rydet në vitin 1978, kur ajo vendosi të dokumentonte jetën e përditshme përmes brendësisë së shtëpive.
Për afro tre dekada, ajo realizoi mijëra portrete në ambiente familjare, duke krijuar një arkiv të pasur që reflekton kulturën, identitetin dhe transformimet shoqërore në komunitete të ndryshme.
Në ekspozitë u shfaqën rreth 100 fotografi të përzgjedhura nga një fond prej rreth 20 mijë imazhesh, përfshirë edhe ato të realizuara në Shqipëri.
“Është kënaqësi që e fillojmë me një prej ekspozitave ku vitin e kaluar lamë një gjurmë të rëndësishme në historinë e fotografisë”, u shpreh Lucjan Bedeni, Drejtor, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në muajin qershor, ndërsa në ditët në vijim pritet të çelet ajo e ekspeditës etnografike të Rrok Zojzit.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




