Bordi i Transparencës, Malaj: Ulim akcizën e naftës për ruajtjen e tavanit 220 lekë për litër
Me një bilanc të ardhurash nga tatimet e doganat me 11.5 % më shumë rritje nga viti i kaluar, Ministri i Financave, Petrit Malaj, në konferencë me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve Ilir Binaj dhe atë të Doganave Besmir Beja, bënë të ditur publikisht ecurinë e proceseve nën administrimin institucional të tyre. Referuar situatës më të ndjeshme, asaj të çmimit të naftës, ministri Malaj shpjegoi si momentin e ndërhyrjes nga Bordi, ashtu edhe mekanizmin.
“Në momentin që Bordi do të mblidhet dhe do të përcaktojë, që çmimi i tregtimit me pakicë do të jetë 221 lekë, çmimi i shitjes me pakicë do të jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizës 20% që përkon me përafërsisht 8 lekë, do të jetë 213 lekë. Do të bëhet në baza ditore”, tha ai.
Po ashtu, ministri Malaj ka zbardhur edhe gjurmimin.
“Kemi dy momente kryesore, nëpërmjet kompanisë shtetërore ku do të vijohet me markimin e karburanteve që do të tregtohen në territorin e Shqipërisë. Cilësia e markimit do të jetë e nivileve më të larta, ndërkohë që paralelisht me këtë edhe karburantet që kalojnë tranzit, autobotet, do të modifikohen me pulla digjitale të cilat do të ndiqen në kohë reale nga momenti që ngarkesa hyn në territorin e Shqipërisë deri në momentin që del nga territori. Në momentin që del, këto elementë sigurie do të hiqen nga kamioni dhe vijon pastaj më tej në destinacionin final”, theksoi ai.
Ndërsa ka deklaruar se financat publike nuk janë më thjesht një instrument administrimit, por motor real i zhvillimit ekonomik të vendit, Ministri i Financave siguroi se ka një sistem që lufton informalitetin dhe po punojmë për të përafruar kuadrin tonë me kërkesat e BE-së.
“Totali i të ardhurave nga Tatimet e Doganat është 130 miliard lekë. Nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës rritja është 11.5% më shumë. Kjo nënkupton që tendenca do vijojë të jetë pozitive, ekonomia po performon mirë, por nga ana tjetër kemi formalizim më të madh të sektorëve në treg. Ka pasur rritje të performancës së hetimeve kundër mashtrimit tatimor, 168 hetime nga 124 krahasuar me 2024-ën. Po ashtu, te kontrollet sipas riskut, janë audituar 100 individë të pasur dhe 101 individë duke përdorur të dhënat nga palët e treta”, deklaroi ai.
Sipas ministrit Malaj, gjetja kryesore ishte ajo e 62.8 milion lekë që lidhen me mosdeklarimin e të ardhurave personale. Për këtë të fundit, Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj deklaroi ecurinë aktuale të deklarimit të këtij viti.
“Procesi ka qenë pozitiv, me disa probleme të vogla. Numri për deklaratën e të ardhurave personale ka 130 mijë tatim pagues, deri në fund besoj se arrin 180 mijë”, tha Binaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




