“Protestat “pa kokë”, Zogaj: Suksesi i tyre, pjesëmarrja. Guerilet nuk prodhojnë ndryshim

Aktualitet | 39 minuta më parë

Ecuria e protestës dhe episodet e fundit të tensionit në kryeqytet u analizuan gjatë emisionit “Trialog” në RTSH-24, të moderuar nga Alba Alishani, me temë qendrore “Rikthehen studentët, zjarr e arreste në Tiranë”.

Në komentin e tij, analisti Preç Zogaj u ndal te natyra e protestave që zhvillohen pa një drejtim formal politik, duke theksuar se fuqia e tyre e vetme qëndron te niveli i pjesëmarrjes qytetare dhe jo te veprimet e izoluara me përplasje fizike.

Sipas Zogajt, ekzekutivi nuk ka ditur t’u përgjigjet politikisht kërkesave të reagimit qytetar, duke pritur zbehjen e numrave për të prezantuar masa që, sipas tij, synojnë më tepër konsolidimin e brendshëm partiak sesa reflektimin ndaj arsyewve që vijnë nga jashtë mazhorancës.

“Në këtë lloj protestash ku nuk del në krye një njeri, ose nuk dalin në krye njerëz që e interpretojnë politikisht protestën. Sekreti i suksesit të tyre është pjesëmarrja, nuk ka tjetër.”, tha Zogaj.

Aktet e dhunës dhe dëmtimi i protestës

Duke analizuar incidentet e fundit para godinës së Ministrisë së Arsimit, Zogaj vërejti se shfaqja e elementeve të dhunshme e komprometon qëllimin e vetë lëvizjes. Ai bëri me dije se veprimet e tilla të kujtojnë skenarë të caktuar ku grupe të vogla synojnë kryesisht prodhimin e lajmit medial, por pa sjellë ndonjë produkt politik real.

Sipas analistit, përpjekjet për të përdorur taktika të përplasjes së menjëhershme nuk sjellin rezultate pozitive për kërkesat e protestuesve, por përkundrazi i shërbejnë status-quo-së ekzistuese.

“Guerilet nuk prodhojnë ndryshim. Guerilet janë një peshqesh që i bëhet establishmentit sot në Shqipëri. Establishmenti i Shqipërisë u drodh kur pa 100 mijë njerëz që ishin qytetarë të Tiranës. U dridhën sepse pjesëmarrja i pakëson ajrin një qeverie.”, komentoi Zogaj.

Ndryshimi përmes mekanizmave demokratikë dhe institucionalë

Në vijim të analizës, Zogaj nënvizoi se realiteti politik dhe institucional i Shqipërisë së sotme ndryshon nga ai i periudhave të kaluara të krizave të thella. Prania e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK-u, si dhe rruga e integrimit euro-atlantik përbëjnë kornizën brenda së cilës duhet kërkuar zgjidhja e problematikave shoqërore.

Ai bëri apel për të mos ngatërruar pakënaqësitë ndaj drejtuesve politikë me qëndrime që mund të dëmtojnë orientimin strategjik të vendit apo të shfrytëzohen nga interesa të jashtme jo-dashamirëse.

“Dhuna nuk prodhon gjë në Shqipërinë e sotme. I vetmi revolucion në Shqipëri për të sjellë një ndryshim të pritshëm në nivelin politik është pjesëmarrja, nuk ka tjetër.”, tha Zogaj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme