Ministri Hoxha: Evropa është një histori zgjerimi, koha e Shqipërisë është tani

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në qendër të diskutimeve ishte rrugëtimi evropian i Shqipërisë, përfshirë progresin e arritur në reformat kyçe, ecurinë e procesit të negociatave për anëtarësim dhe angazhimin e vazhdueshëm për të prodhuar rezultate konkrete në funksion të integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministri Hoxha theksoi se orientimi evropian i Shqipërisë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm që prej fillimit të këtij procesi: një rilidhje e plotë dhe pa kushte me hapësirën natyrore të përkatësisë sonë – Evropën.
“Për ne nuk ka asgjë më gjithëpërfshirëse dhe më jetike sesa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Evropë ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm: zgjerimi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Sot, kushdo që flet për zgjerimin e konsideron atë një investim strategjik për të ardhmen e Evropës. Evropa është një histori zgjerimi, një histori rritjeje. Dhe nëse shpesh thuhet se Evropa do të zgjerohet kur të vijë koha e duhur, për ne kjo kohë është tani. Nuk ka arsye për vonesa,” u shpreh Ministri Hoxha.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë së përbashkët për të çuar përpara perspektivën evropiane të vendit, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e brezit të ri të diplomatëve në formësimin e së ardhmes së Evropës dhe të rajonit.
Ministri vlerësoi gjithashtu kontributin ndër vite të Akademisë Diplomatike të Vjenës në përgatitjen e brezave të diplomatëve, duke theksuar lidhjen e qëndrueshme të këtij institucioni me Shërbimin e Jashtëm të Shqipërisë, përmes formimit të disa prej përfaqësuesve të tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




