Godet tri call centera në Tiranë, prangosen 7 persona, vodhën 50 mln € nga evropianët, i kthenin në kriptovaluta
Prokuroria e Tiranës ndërmori një aksion që prej mbrëmjes së të hënës, duke ndërhyrë në tri mjedise call cnterash.
Ndonëse organi i akuzës nuk ka folur zyrtarisht, të dhënat bëjnë me dije se janë lëshuar 7 urdhër-arreste dhe 2 ndalim dalje jashtë vendit.
Tre prej 7 masave të sigurisë arrest me burg janë ekzekutuar, Eduart Dalla, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, ku dyshohet se dy të fundit konvertonin shumat e përfituara në kriptomonedha për të fshehur gjurmët e parave.
Në tri Call Center-at, 2 prej të cilëve ndodheshin në zonën pranë Kopshtit Zoologjik, ndërsa njëri prej tyre në Rrugën e Kavajës, janë gjetur në zyra mbi 80 operatorë, të cilët janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje.
Gjatë kontrolleve, bëhet me dije se agjentët e policisë kanë sekuestruar mbi 900 mijë euro cash, si dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh, përfshirë kompjuterë, USB, servera dhe kamera sigurie.
Call centerat mashtronin shtetas të huaj me qëllim zhvatjen e shumave të mëdha të parave, ku ndaj të gjithë personave, përfshirë administratorë, punonjës IT, mirëmbajtës interneti, financierë etj., rëndon akuza për veprën penale ‘Mashtrim kompjuterik’, pasi ka dyshime se ata kanë mashtruar mijëra qytetarë evropianë, ku dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky aktivitet dyshohet të kalojë shifrën e 50 milionë eurove.
Të përfshirë në operacion ishin edhe autoritetet gjermane e austriake ndërsa hetimet bëhet me dije se kishin nisur 2 vite më parë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




