“Plotësisht e përkushtuar ndaj njerëzve që iu shërbeu”, Mbreti Charles mesazh të ndjerë për Mbretëreshën Elizabeth II në 100-vjetorin e lindjes së saj

Mbreti Charles III ka deklaruar se nëna e tij e ndjerë, Mbretëreshën Elizabeth II, do të ishte thellësisht e shqetësuar nga zhvillimet aktuale, ndërsa i bëri një homazh të ndjerë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj.
Në një mesazh video për të nderuar monarken më jetëgjatë të vendit, ai tha se ajo kishte “mbetur e qëndrueshme, e palëkundur dhe plotësisht e përkushtuar ndaj njerëzve që iu shërbeu”.
Mbretëresha e ndjerë do të kishte mbushur 100 vjeç të martën dhe mbreti tha se kjo ditë duhet të festohet për një “jetë të jetuar mirë” dhe jo të shënojë një “mungesë”, përpara një sërë aktivitetesh mbretërore në nder të saj.
“Shumë nga ajo që po ndodh në kohët që jetojmë sot, dyshoj se do ta kishte shqetësuar thellë, por unë gjej ngushëllim në besimin e saj se e mira gjithmonë do të triumfojë dhe se një agim më i ndritshëm nuk është kurrë larg në horizont,” tha ai në mesazhin e tij.
“Sepse, siç u shpreh Princesha e re Elizabeth në transmetimin e saj të parë publik, në moshën vetëm 14-vjeçare, secili prej nesh mund të luajë rolin e vet ‘për ta bërë botën e së nesërmes një vend më të mirë dhe më të lumtur’. Ky është një besim që e ndaj me gjithë zemër.”
Mbreti nuk specifikoi se cilat ishin shqetësimet konkrete, por mesazhi vjen pas zhvillimeve të fundit, përfshirë faktin që vëllai i tij, Prince Andrew, u privua nga titujt për shkak të lidhjes me Jeffrey Epstein.
Ekonomia globale po përballet me pasiguri pas konfliktit mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, i cili ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe transportin detar, ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka hyrë në vitin e pestë.
Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë më 8 shtator 2022 në rezidencën e saj në Balmoral Castle, në moshën 96-vjeçare, pasi kishte shërbyer për 70 vite si sovrane.
Në videon e regjistruar në bibliotekën e Balmoralit në fillim të prillit, mbreti tha: “Shekulli i saj gati i plotë ishte një periudhë ndryshimesh të jashtëzakonshme dhe megjithatë, në çdo dekadë që kalonte, në çdo transformim, ajo mbeti e qëndrueshme, e palëkundur dhe plotësisht e përkushtuar ndaj njerëzve që i shërbeu.”
“Miliona do ta kujtojnë për momentet me rëndësi kombëtare; shumë të tjerë për një takim të shkurtër personal, një buzëqeshje, një fjalë të mirë që ngrinte shpirtin… apo për atë shkëlqim të mrekullueshëm në sy kur ndau një sandwich me marmelatë me Paddington Bear në muajt e fundit të jetës së saj.”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




