Fermerët e Malësisë së Madhe kthehen tek duhani- Shkak, rënia e çmimit në tregun ndërkombëtar për bimët mjekësore

Aktualitet | 6 muaj më parë

Mungesa e tregut të sigurt të shitjes dhe rënia e çmimit kanë ulur ndjeshëm interesin e fermerëve në Malësinë e Madhe për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Dhjetëra tonë sherebelë kanë mbetur stok në magazina, pasi çmimi i ofruar nga grumbulluesit është nën koston e prodhimit.

Fermerët thonë se investimi nuk po justifikohet më dhe puna e një viti rrezikon të shkojë dëm. Një tjetër faktor që po rëndon situatën është mungesa e fuqisë punëtore, e cila ka rritur kostot dhe ka vështirësuar procesin e korrjes dhe përpunimit.

Sipas specialistëve të Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, vitet e fundit është vërejtur një rënie e ndjeshme e sipërfaqeve të mbjella me bimë medicinale dhe aromatike.

Në vend të tyre, fermerët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt kultivimit të duhanit, i cili ka kërkesë më të lartë në treg dhe çmim më të favorshëm grumbullimi.

“Në përgjithësi, sipërfaqja e mbjellë me duhan është rritur dhe tendenca pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Çmimet e fundit kanë stimuluar fermerët të zgjerojnë sipërfaqet e kultivuara me duhan. Ka fermerë që mbjellin 4 deri në 5 hektarë me duhan dhe, falë të ardhurave nga kjo kulturë, kanë arritur të mbajnë familjet e tyre”, tha specialisti Sherif Brahaj.

Malësia e Madhe njihet si një nga zonat me prodhimtarinë dhe eksportin më të lartë të bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri, kryesisht drejt tregut amerikan. Por rritja e kostove të kultivimit dhe luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare po ndikojnë në tkurrjen progresive të këtij sektori.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme