Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e Gjykatës së Lartë për Erion Veliajn dhe kthen çështjen për rishqyrtim

Aktualitet | 5 muaj më parë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka njoftuar sot vendimmarrjen lidhur me shqyrtimin e ankimit kushtetues individual të kërkuesit, Erion Veliaj. Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata bëri me dije se ka vendosur pranimin e pjesshëm të kërkesës së Veliajt, duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të datës 8 korrik 2025 dhe duke e rikthyer çështjen për rishqyrtim në po atë gjykatë.

Objekti i këtij shqyrtimi ishte shfuqizimi i një sërë vendimesh të Gjykates së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe i vendimit të Gjykatës së Lartë, të cilat kishin caktuar dhe lënë në fuqi masën e sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit. Sipas njoftimit, Gjykata e shqyrtoi çështjen në themel “vetëm në drejtim të pretendimeve për aspektin procedural dhe atë substancial të caktimit të masës së sigurimit ‘Arresti në burg’ ndaj kërkuesit”.

Rrëzimi i pretendimeve procedurale

Në analizën e aspektit procedural, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura nga kërkuesi. Pretendimi për cenimin e së drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme për njohjen me aktet e dosjes dhe qëndrimit në kafaz/kabinën e xhamit në gjykatat e faktit u rrëzua me shumicë votash si i pabazuar.

Lidhur me marrjen e provave të reja nga Prokuroria e Posaçme në Gjykatën e Posaçme të Apelit, njoftimi sqaron se:

“Gjykata nuk arriti numrin prej pesë votash për vendimmarrje, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës ai konsiderohet i rrëzuar.”

Kursi i vendimmarrjes ka ndryshuar gjatë shqyrtimit të aspektit substancial, ku Gjykata Kushtetuese ka konstatuar mangësi në vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me trajtimin e dy pretendimeve specifike të ngritura në rekurs nga kërkuesi.

Dinjiteti dhe prezumimi i pafajësisë

Gjykata, me shumicë votash, vendosi pranimin e këtij pretendimi, i cili lidhej me qëndrimin e kërkuesit në kafaz ose kabinë xhami gjatë proceseve gjyqësore në gjykatat e faktit. Pranimi u bë specifikisht “në drejtim të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë të këtij pretendimi të parashtruar në rekurs nga kërkuesi”.

Proporcionaliteti i masës së sigurimit

Lidhur me cenimin e lirisë personale në raport me të drejtën për t’u zgjedhur, trupi gjykues e gjeti këtë pikë të bazuar po ashtu mbi baza formale të arsyetimit, duke cituar se:

“Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi.”

Pavarësisht këtyre pranimeve të pjesshme, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar si të pabazuar pretendimin e kërkuesit mbi mungesën e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për caktimin e masës së sigurimit personal.

Dispozitivi i vendimit

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, ka zyrtarizuar vendimin përmes tri pikave kryesore:

“Pranimin e pjesshëm të kërkesës.”

“Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”

“Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.”

Në përmbyllje të njoftimit sqarohet se vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të përcaktuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme