Qeveria miraton procedurat e reja për hartimin e planeve të zhvillimit rajonal

Qeveria shqiptare ka zbardhur vendimin për përcaktimin e procedurave zyrtare që do të rregullojnë hartimin e dokumenteve strategjike për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në vend. Vendimi i Këshillit të Ministrave normon hapat për hartimin e Planit Kombëtar (PKZHRK), planeve rajonale (PRZHRK) dhe programit operacional (POZHRK).Ky kuadër rregullator synon “garantimin e përputhshmërisë së tyre me drejtimet e politikës kombëtare të zhvillimit rajonal e kohezionit nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës”, duke u përafruar njëkohësisht me kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndarja e kompetencave dhe roli i FSHZH-së
Dokumenti sanksionon një hierarki të qartë institucionale për sa i përket autoritetit të hartimit të këtyre dokumenteve, të cilat emërtohen bashkërisht si „dokumente të planifikimit e të koordinimit“.
Nivel kombëtar
PKZHRK-ja dhe POZHRK-ja hartohen nga Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin (KKZHRK), si “organi përgjegjës për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Nivel rajonal
PRZHRK-ja hartohet nga “bordi i monitorimit të zhvillimit rajonal përkatës, në cilësinë e organit përgjegjës, në nivelin e kufijve territorialë të rajonit zhvillimor”.
Sekretariati teknik
Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ngarkohet me rolin e sekretariatit teknik për të siguruar “mbështetje administrative dhe teknike për përgatitjen e këtyre dokumenteve”.
Sipas kreut II të vendimit, organet udhëheqëse do të orientojnë punën e FSHZH-së në disa drejtime specifike, ku përfshihen përgatitja e analizave socioekonomike, vlerësimi i pabarazive ndërmjet rajoneve, koordinimi ndërshtetëror dhe “vlerësimi i nevojave për financim dhe programimin e financimit të brendshëm e të huaj”.
Konsultimi publik dhe rishikimi i dokumenteve
Vendimi i jep një rëndësi të veçantë parimit të partneritetit dhe koordinimit vertikal e horizontal. Për këtë qëllim, KKZHRK-ja autorizohet të ngrejë grupe teknike ose tematike pune me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera. Procesi i hartimit do të jetë i hapur për publikun dhe aktorët lokalë përmes “takimeve konsultative, dëgjesave publike, platformave online, anketimeve, pyetësorëve” ose formave të tjera të ngjashme.
Në kreun III, vendimi specifikon rrethanat e jashtëzakonshme ose objektive kur këto dokumente mund t’i nënshtrohen rishikimit përpara afatit:
Rrethanat e rishikimit të dokumenteve të planifikimit
Ndryshime në politikat dhe prioritetet e përgjithshme kombëtare qeverisëse
Ndryshime të paparashikuara demografike, sociale, ekonomike ose mjedisore
Situata të jashtëzakonshme ose emergjenca kombëtare/rajonale
Ndarje të reja administrative dhe territorial
Çdo rishikim i tillë duhet të paraprihet nga një analizë e thellë, duke ruajtur përputhshmërinë me dokumentet e niveleve më të larta hierarkike.
Cikli pasardhës i planifikimit
Për të garantuar vijueshmërinë e politikave të kohezionit, qeveria ka vendosur një afat të prerë për nisjen e punës për ciklet e ardhshme. Hartimi i dokumenteve për ciklin e ri duhet të ndërmerret “të paktën 1 (një) vit përpara përfundimit të periudhës planifikuese paraardhëse”. Ky proces do të bëhet duke analizuar dhe evidentuar gjetjet dhe mësimet e nxënë nga zbatimi i dokumenteve që janë në përfundim. Zbatimi i këtij vendimi, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, i është ngarkuar zëvendëskryeministrit, Komitetit Kombëtar për Zhvillimin Rajonal, bordeve rajonale dhe Fondit Shqiptar i Zhvillimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




