Transformimi dixhital, përfaqësuesja e KiE në Tiranë: Rrit transparencën dhe ul korrupsionin. Forcon besimin e qytetarëve

Politikë | 5 muaj më parë

Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Giulia Re, u shpreh se reformat që lidhen me të drejtat e njeriut, garancitë ligjore dhe transparencën përbëjnë bazën e një sistemi demokratik funksional dhe të besueshëm. 

Gjatë konferencës rajonale që bashkoi vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, rreth një vizioni të përbashkët për transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian, përfaqësuesja e KiE në Tiranë theksoi se Europa dhe qëndrueshmëria demokratike duhet të garantohen nga forca e rregullave dhe zbatimi i tyre në praktikë.

“Për Shqipërinë dhe vendet kandidate në Ballkan, reformat që lidhen me të drejtat e njeriut, garancitë ligjore dhe transparencën janë thelbësore drejt integrimit. Me këtë qëllim, sistemet transparente nuk forcojnë vetëm sistemin e drejtësisë, por ulin edhe korrupsionin dhe mbështesin zhvillimin ekonomik”, tha ajo.

Sipas Re, suksesi i reformave pasqyrohet në besimin që qytetarët krijojnë ndaj institucioneve dhe në afrimin e tyre me administratën publike.

Sipas saj, digjitalizimi i shërbimeve dhe proceseve publike redukton pasigurinë, rrit gjurmueshmërinë dhe garanton më shumë efikasitet për qytetarët.

“Digjitalizimi redukton pasigurinë, rrit gjurmueshmërinë dhe garanton më shumë efikasitet për qytetarët. Vendet e rajonit kanë shumë për të mësuar nga njëri-tjetri dhe, nëse bashkëpunojmë, nuk forcojmë vetëm sistemet tona, por edhe hapësirën tonë të përbashkët europiane. Europa dhe qëndrueshmëria duhet të garantohen nga forca e rregullave dhe puna juaj e përditshme i mishëron këto parime. Suksesi i reformave pasqyrohet në besimin e qytetarëve për t’iu afruar institucioneve”, u shpreh ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme