35-vjetori i PS-së, Ulsi Manja: Socialistët transformuan partinë në një forcë evropiane

Në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, drejtuesi politik i qarkut Dibër, Ulsi Manja, mori pjesë këtë të enjte (29 maj) në aktivitetin festiv të organizuar në Dibër, ku vlerësoi rrugëtimin e PS-së ndër vite dhe transformimin e saj në një forcë moderne.
Gjatë fjalës së tij, Manja u shpreh se Partia Socialiste nuk ishte mbledhur për të festuar një fitore, por për të kujtuar historinë 35-vjeçare të saj, një histori që sipas tij është unifikuar me historinë e Shqipërisë gjatë tranzicionit.
“Sot nuk jemi mbledhur për të festuar një fitore po për të kujtuar një histori, histori 35 vjeçare të PS që fatmirësisht në këto dekada tranzicion është unifikuar me Shqipërinë. Kanë qenë 35 vite jo të lehta, sakrificash, përplasjes, ri ngritjesh por dhe fitoresh. Ishte merita e një grupi burrash dhe grashë që në ’91 kuptuan dhe patën kurajën të themelojnë PS duke e transformuar nga një forcë e vjetër politike në një forcë evropiane me profil social-demokrat. Kanë qenë vite të turbullta për Shqipërinë dhe vite të vështira për PS, por ja dolën përball një qeverisje që kishte humbur gjithçka por orientim dhe ADN kombëtare nuk kishte”, u shpreh Manja.
Ai vlerësoi themeluesit e PS-së në vitin 1991, duke theksuar se ata patën vizionin dhe guximin për ta transformuar partinë në një forcë evropiane me profil social-demokrat.
Manja u ndal edhe te periudha e vitit 2005, kur PS kaloi në opozitë, duke e cilësuar atë si një moment reflektimi për socialistët. Sipas tij, ardhja në krye të partisë e Edi Ramës shënoi kthesën drejt një partie fituese.
“Në vitin 2005 për gabimet tona ne kaluam në opozitë duke rikthyer përsëri të njëjtin njeri të cilit ja kishim parë sherrin për 6-7 vite me radhë. Në 2005 kur shumë kush mendonte se PS kishte hyrë në një krizë pa kthim në atë moment socialistët shqiptar sollën në krye te PS dikë që kishte rilindur shpresën për Tiranën dhe kryeqytetin e shqiptarëve. Njeriu që nuk erdhi në krye të kësaj partie për të administruar humbjen por për të transformuar PS drejtë një partie fituese”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




