Gjykata e Posaçme dënon me 7 vjet e 4 muaj burg Erio Zejnon për sigurim të kushteve për vrasje

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur sot vendimin ndaj të pandehurit Erio Zejno, i cili akuzohej për përfshirje në aktivitete kriminale të strukturuara. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Irena Gjoka dhe Marinela Osmani, e ka deklaruar të pandehurin fajtor për disa vepra të rënda penale, duke e dënuar përfundimisht me 7 vjet e 4 muaj burgim.
Prokuroria e Posaçme kishte ngritur një sërë akuzash ndaj Zejnos, ndër të cilat më kryesorja ishte ajo e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve të identifikuar si E.M. dhe I.H.
Në vendimin e saj, gjykata ka bërë bashkimin e dënimeve për veprat:
Sigurim i kushteve për vrasje, me 7 vjet burgim.
Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve me 10 vjet burgim.
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me 2 vjet burgim.
Pas aplikimit të nenit 55 të Kodit Penal për bashkimin e dënimeve dhe reduktimit të masës me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri u dënua me 7 vjet e 4 muaj burgim, të cilin do ta vuajë në një institucion të sigurisë së lartë.
Përveç dënimit me burgim, gjykata ka vendosur që i pandehuri të mbajë përgjegjësi edhe për shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, në shumën prej 37,785 lekësh, në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë të të njëjtit procedim penal (nr.148/1 të vitit 2024).
Palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankim kundër këtij vendimi pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda një afati 15-ditor, duke filluar nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




