Ura e Ali Pashës, thesari historik i Gjirokastrës, vizitorët mahniten nga panorama dhe arkitektura e monumentit
Të huajt po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për të njohur nga afër trashëgiminë historike dhe kulturore të Gjirokastrës.
Përveç Kalasë dhe lagjeve karakteristike të qytetit të gurtë, vizitorët po përfshijnë në axhendat e tyre edhe monumentet që ndodhen në zonat e sipërme të qytetit.
Një nga destinacionet më të preferuara mbetet Ura e Ali Pashës, e vendosur mbi lagjen Dunavat. Monumenti i ndërtuar shekuj më parë vazhdon të tërheqë vëmendjen e turistëve, të cilët zgjedhin të udhëtojnë në këmbë për ta vizituar nga afër.
Nuk është vetëm vlera historike e urës që i bën vizitorët të ndalen në këtë pikë. Panorama mbresëlënëse që ofron natyra përreth, e kombinuar me stilin unik të ndërtimit, krijon një përvojë të veçantë për turistët.
Shumë prej tyre shprehen të mahnitur nga arkitektura e monumentit dhe peizazhi që e rrethon, duke e konsideruar Urën e Ali Pashës një nga pikat më të bukura për t’u vizituar në Gjirokastër.
Vizitat në këtë monument dëshmojnë se interesi për turizmin kulturor dhe historik në Gjirokastër vijon të rritet, duke e kthyer qytetin në një nga destinacionet më të kërkuara për vizitorët vendas dhe të huaj.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




