Dështon projekti 100 miliardësh i avionit luftarak, Franca dhe Gjermania humbin gjuhën e përbashkët dhe anulojnë bashkëpunimin ushtarak

Franca dhe Gjermania kanë marrë vendimin e papritur për të hequr dorë përfundimisht nga projekti i madh për ndërtimin e një avioni të përbashkët luftarak. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë pranuar se kompanitë e përfshira nuk po gjejnë dot një gjuhë të përbashkët.
Ky program ushtarak me vlerë 100 miliardë euro nisi që në vitin 2017 me synimin për të zëvendësuar avionët aktualë rreth vitit 2040. Megjithatë, mosmarrëveshjet mes dy gjigantëve të ajrit, kompanisë franceze Dassault dhe asaj evropiane Airbus, bllokuan gjithçka për shkak të kontrollit të teknologjisë.
Parisi dhe Berlini kishin gjithashtu përplasje të forta mbi modelin e mjetit fluturues, pasi Franca kërkonte një avion që të mbante edhe armë bërthamore. Ky dështim shihet si një goditje tejet e rëndë për përpjekjet e Bashkimit Evropian për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
“Thelbi i vërtetë i këtij programi do të vazhdojë vetëm si një sistem evropian për lidhjen e dronëve”, deklaroi një burim nga qeveria gjermane. Vendimi përfundimtar u mor gjatë një takimi të liderëve në samitin e Malit të Zi, ku u konfirmua se asnjë përpjekje nuk mundi ta shpëtonte nismën.
Ndërkohë, drejtuesit e kompanisë franceze Dassault kanë deklaruar se tashmë mund ta realizojnë këtë projekt të vetëm dhe pa partnerë të tjerë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



