Interpelancë në Kuvend, ministri Lamallari kërkon zbardhjen e ngjarjes për Dëshmorin e Atdheut, Enea Mekolli

Në një interpelancë të kërkuar nga deputeti Klevis Balliu, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, trajtoi ngjarjen e rëndë ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Dëshmori i Atdheut Enea Mekolli, dhe mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.
Ministri Lamallari bëri të ditur se për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes kanë nisur hetime administrative dhe institucionale nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Ai theksoi se: “Përgjegjësia do të trajtohet ekskluzivisht mbi bazën e fakteve dhe përfundimeve të hetimit, pa ndikime politike. Deri në përfundim të këtij procesi, çdo koment është i papërshtatshëm duke pasur parasysh funksionin e Ministrit të Punëve të Brendshme. Të dhënat do të ndahen me transparencë të plotë sapo të ketë një përfundim të hetimeve që zhvillohen dita-ditës. Mbështetja për familjet e efektivëve”.
Gjatë fjalës së tij, ministri Lamallari shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit dhe konfirmoi masat mbështetëse për familjarët e dy efektivëve:
“Ministria i ka dorëzuar familjes së Enea Mekollit certifikatën e statusit “Dëshmor i Atdheut”. Është akorduar një ndihmë financiare për familjet e Enea Mekollit dhe Edison Adrit. Është iniciuar procedura për mbështetjen financiare të fëmijës së mitur të Dëshmorit të Atdheut, bazuar në ligjin për fëmijët në mbrojtje të Republikës.”
Ministri e mbylli fjalën e tij duke nderuar kujtimin dhe veprën e Enea Mekollit dhe të 232 martirëve të tjerë të Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




