Rama: Shteti nuk ndërtohet duke ndjekur algoritmet, por duke qeverisur për qytetarët
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se vendimmarrja qeverisëse nuk duhet të ndikohet nga “algoritmet” apo narrativa të prodhuara në kohë reale në hapësirat digjitale.
Ai tha se vendi ndodhet në një “laborator” ku, sipas tij, simbolika dhe gënjeshtra mund të krijojnë perceptime të shtrembëruara, ndaj qeveria duhet të fokusohet në detyrimet ndaj qytetarëve dhe jo në reagimet e rrjeteve apo “algoritmeve”.
Ai përmendi edhe shërbimet publike, duke thënë se mbi 3 milionë qytetarë marrin rreth 95% të shërbimeve online, ndërsa problemet ekzistuese përbëjnë një pjesë të vogël që duhet përmirësuar.
“Jemi në një laborator ku në kohë reale, algoritmi, simbolika e gënjeshtra prodhojnë fakte, përpjekje të dëshpëruara për të mohuar të vërtetën. Ajo që mbetet për t’u bërë është që ne të refuzojmë të ndjekim çdo dallgë. Të qeverisim Shqipërinë sipas kontratës që kemi me popullin dhe jo sipas algoritmit. Të vazhdojmë përpara, të dëgjojmë patjetër që po. Askush nuk mund ta thotë që nuk ka shumë të vërteta në ato që thuhen, por zgjedhja jonë është e detyruar, nuk është një nga disa zgjedhjet. Është të bëjmë çmos që njerëzve t’u japim lajmin e mirë, jo propagandën. Kemi një problem me shërbimet? Kemi patjetër, po sot janë mbi 3 milionë shqiptarë që 95% të tyre i marrin online. Në këtë 5 % kemi problematikë patjetër, po nëse marrim të mirëqenë, që njerëzit I dinë ato që janë bërë marrim të mirëqenë”, u shpreh Edi Rama.
Sipas tij, detyra e qeverisë është të ndërtojë shtetin dhe të ruajë drejtimin e zhvillimit, pa u përfshirë në “luftë në kanalet e algoritmeve”, por duke u fokusuar në rezultate konkrete për qytetarët.
“Të vijojmë të korrigjojmë gabimet tona, patjetër, të mësojmë nga njëri tjetri, të mësojmë aty ku mundemi gjithmonë. Por kemi një detyrë që nuk e ka askush tjetër. Kemi detyrën të ndërtojmë, shteti nuk ndërtohet duke bërë luftë në kanalet e algoritmave. Shteti ndërtohet duke mos e humbur drejtimin e historisë”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




