Pikat e protestuesve, Muça: Kam respekt për Goxhajn, por turma nuk pajtohet me ato kërkesa
Gazetari Flogert Muça, i ftuar në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi, ka komentuar mbi pikat e shpallura nga Dritan Goxhaj në ditën e 23-të të protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Muça theksoi se kërkesat e lexuara nuk përfaqësojnë të gjithë protestuesit dhe se brenda turmës ka një mosdakordësi të dukshme.
“Ato janë pika që ka nja tetë vjet të paktën që artikulohen nëpër studio televizive. Pra aty nuk ka asnjë shpikje. Ta bëjmë tetë vjet kryeministrin, ta bëjmë sistemin me proporcional, me marzh kaq, me prime, pa prime, çfarë nuk është thënë. Kështu që ato janë kapje, rikapitulim. Lexohen për 30 sekonda dhe mbaron filmi.”
Muça shprehu respekt personal për Goxhajn, por vuri në dyshim përfaqësimin e tij real në protestë.
“Problemi është, me gjithë respektin që kam për Goxhajn, kam konsideratë personale, por çfarë përfaqëson, kë përfaqëson? Sepse unë flas me 10 organizatorë që i kam këtu dhe më thonë: kush është ky, as nuk e njohin. Dhe problemi që ata shfaqin është se abuzohet me termin ‘jemi organizatorët’. Në fakt, brenda turmës ato që ka lexuar Goxhaj i ka dëgjuar një numër shumë i vogël njerëzish.”
Gazetari shtoi se brenda protestës ka grupe të ndryshme me qëllime të ndryshme, gjë që e bën të vështirë unifikimin e kërkesave.
“Aty dikush proteston për të drejtat e LGBTI+, dikush për të drejtat e familjes konservatore, dikush është fashist, dikush është komunist. Pra është një mozaik i madh. Handikapi është që aty janë palë të cilat, nëse nesër Edi Rama thotë ‘zgjedhje’, do duhet të bëjnë parti. Dhe aty mund të krijohen më shumë parti se portale mediash, sepse secili njeri është gati të dalë me platformën e vet.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




