BE miraton projektin për euron digjitale, sistemi i ri pritet të nisë në vitin 2029 për të sfiduar gjigantët amerikanë 

Europë | 4 muaj më parë

Komisioni për Ekonominë në Parlamentin Europian ka ndezur dritën jeshile për projektin e madh të monedhës së re, euros digjitale. Ky hap strategjik i Bashkimit Europian synon të forcojë pavarësinë financiare dhe të reduktojë ndjeshëm varësinë nga sistemet amerikane.

Sipas të dhënave zyrtare, gjigantët Visa dhe Mastercard përpunojnë aktualisht gjashtëdhjetë e një për qind të pagesave me kartë në eurozonë. Monedha e re do të jetë një formë krejtësisht elektronike e parasë, e emetuar dhe e garantuar direkt nga Banka Qendrore Europiane.

Autoritetet sqarojnë se ky projekt modern thjesht do të plotësojë përdorimin e parasë fizike, pa e zëvendësuar atë në treg. Qytetarët do të mund t’i mbajnë këto para në një portofol elektronik të dedikuar, duke kryer pagesa si online ashtu edhe offline. Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë europianë garantojnë një nivel maksimal privatësie për të gjitha transaksionet që do të kryhen.

Ndërsa infrastruktura teknologjike do të sigurohet nga banka qendrore, shpërndarja dhe shërbimi ndaj klientit do t’u lihet bankave tregtare. Ky vendim historik cilësohet si një fitore e madhe për xhepat e qytetarëve dhe fatin e bizneseve të vogla. Euroja digjitale pritet të hyjë zyrtarisht në përdorim deri në vitin dymijë e njëzet e nëntë, pas negociatave finale me shtetet anëtare.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme