Aksidenti i rëndë në Tiranë-Durrës/ Shoferi i minibusit dyshohet se pësoi arrest kardiak, ishte brenda normave të shpejtësisë, çfarë rezulton nga hetimet

Aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë-Durrës, ku gjeti vdekjen drejtuesi dhe u plagosën 12 të tjerë dyshohet se është shkaktuar nga një arrest kardiak që mund të ketë pësuar shoferi 36-vjeçar, Redion Hasimi.
Sipas hetuesve, drejtuesi i autobusit nuk ka frenuar dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për të ndaluar mjetin.
36-vjeçari përshkonte pothuajse çdo ditë itinerarin Tiranë–Berat dhe anasjelltas. Nga verifikimet e kryera nga Policia rezulton se ai nuk po lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara. Në segmentin ku ndodhi aksidenti, kufiri maksimal i shpejtësisë është 100 km/h, ndërsa autobusi ka qenë duke lëvizur me shpejtësi më të ulët.
Po ashtu, verifikimet e Policisë Rrugore të Tiranës tregojnë se 36-vjeçari nuk kishte precedentë si drejtues problematik dhe nuk rezulton të ketë pasur shkelje të konstatuara të rregullave të qarkullimit rrugor.
Megjithatë, do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë me saktësi shkakun e ngjarjes.

Më herët, Spitali Universitar i Traumës njoftoi se pesë pacientë të lënduar janë larguar nga spitali pas trajtimit mjekësor, pasi janë vlerësuar jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pritet të largohet edhe një pacient tjetër. Ndërkohë, i mituri 8-vjeçar vijon të qëndrojë në Reanimacion, në gjendje stabël dhe jashtë rrezikut për jetën.Në Reanimacion ndodhet gjithashtu edhe një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeçe, e cila po merr trajtim intensiv.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




