Tre vatra zjarri përfshijnë Porto Palermon, shmanget përhapja e flakëve

Aktualitet | 4 muaj më parë

Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu gjate natës zonën e Porto Palermos, në Bashkinë Himarë, duke vënë në alarm strukturat e emergjencës.

Sipas informacioneve zyrtare, njoftimi për praninë e tre vatrave të zjarrit është marrë rreth orës 23-dhe menjëherë drejt vendngjarjes u nisën një automjet zjarrfikës dhe një autobot me ujë, ndërsa gjatë rrugës u vu në gatishmëri i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës, duke u angazhuar edhe dy mjete të tjera për përballimin e situatës.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të forcave në terren, flakët u vunë nën kontroll dhe zjarri u shua plotësisht. Aktualisht, një grup shërbimi vijon të qëndrojë në zonë për monitorim, me qëllim parandalimin e riaktivizimit të vatrave.

Në operacion morën pjesë i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës, strukturat e Emergjencave Civile, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake dhe shërbimi pyjor. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të përcaktohen pas verifikimeve nga autoritetet kompetente. Nga ngjarja nuk raportohen persona të lënduar

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme