Dëmet nga breshëri në fshatrat e Këlcyrës, fermerët përballen me humbje të mëdha në bujqësi
Tre ditë pas stuhisë së breshërit që goditi zonën e Ballabanit dhe Sukës, fermerët në disa fshatra të Bashkisë së Këlcyrës po përballen me pasojat e dëmeve të mëdha në bujqësi. Më të prekurit janë banorët e Katundishtit, Çorogunjës dhe Podgoranit, ku breshëri ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të kulturave bujqësore dhe pemëtoreve. Banorët thonë se prej tre ditësh përballen me vështirësi në lëvizje dhe shprehen të zhgënjyer nga mungesa e reagimit të autoriteteve vendore.
“Mua për shembull kopështin aty që ka mbjellë perime i ka përmbutur zhavorri Kanalet s’janë pastruar. Më është bërë 500 mijë lekë mall dëm”, tha një prej banorëve.
Situata paraqitet më problematike në fshatin Podgoran. Përveç dëmeve në bujqësi, reshjet e dendura kanë sjellë masa të mëdha balte dhe inertesh, duke bllokuar dy rrugë të brendshme të fshatit.
“Të gjitha perimet që kam te shtëpia i ka prishur breshëri. Tani unë si kryeplak edhe administratorin e kam lajmëruar. Asnjë përgjigje nuk më ka kthyer”, tha Ajet Goxhaj kryeplaku i fshatit.
Ndërkohë, Bashkia e Këlcyrës pranon se është vënë në dijeni për dëmet e shkaktuara nga breshëri. Drejtori i Shërbimeve Publike, Tonin Qyra, deklaron se duke nisur nga dita e nesërme do të ndërhyhet me mjete mekanike për pastrimin e baltës dhe hapjen e rrugëve të bllokuara në Podgoran.
“Jemi në dijeni të situatës pasi na ka kontaktuar edhe njësia administrative Suk, konkretisht administratori i njësisë administrative Suk bërë të ditur problematikën që është shkuam edhe vetë me një me një grup nga bashkia për ta parë në terren për ta identifikuar problematikën dhe shumë shpejt ë ndoshta nesër ndoshta nesër nesër që në mëngjes do nisim me pastrimin e rrugës dhe rregullimin e të dy krahëve të rrugës”, tha Tonin Qyra Drejtori i Shërbimeve Publike Bashkia Këlcyrë.
Banorët, nga ana tjetër, kërkojnë jo vetëm rikthimin e normalitetit në infrastrukturë, por edhe vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe mbështetje për të përballuar humbjet e shkaktuara nga fenomeni natyror.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




