Vrasja e Ilir Gjinit në Laç, policia gjen një pistoletë të dytë në vendin e ngjarjes. Dyshime për persona të tjerë të përfshirë

Aktualitet | 4 muaj më parë

Një armë zjarri e dytë është gjetur nga policia në zonën pranë lagjes “Erdogan”,  ku mbrëmjen e 9 korrikut u vra Ilir Gjini.

Burime të sigurta bëjnë me dije se arma u zbulua pas një kontrolli të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor, pas dyshimeve të krijuara nga deklaratat e personave të shoqëruar në polici.

Hetuesit dyshojnë se në momentin e ngjarjes nuk kanë qenë vetëm autori i dyshuar dhe viktima, por edhe persona të tjerë që mund të kenë pasur rol në konflikt ose të kenë qenë të pranishëm gjatë përplasjes.

Arma e dytë e sekuestruar është një pistoletë me mulli (revolver), karakteristikë e së cilës është se gëzhojat mbeten brenda armës edhe pas shkrepjes. Për këtë arsye, ajo është dërguar për ekspertizë balistike, e cila pritet të përcaktojë pronësinë e saj, nëse është përdorur gjatë ngjarjes dhe nëse ka pasur shkëmbim zjarri mes autorit, viktimës dhe personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë në vendin e krimit.

I dyshuari, i vrasjes Emiljan Suti ka precedentë të theksuar kriminal, i dënuar me 5 vite burg për kanosje për shkak të detyrës, armëmbajtje pa leje, i arrestuar edhe në Belgjikë për vjedhje.

Hetimet vijojnë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht dinamikën e vrasjes dhe për të identifikuar çdo person të përfshirë në këtë ngjarje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme