FSHF largon Gent Mahmutin, trajner i ri i Shqipërisë U-15 emërohet Bledar Borova

Kombëtarja | 4 muaj më parë

Federata e Futbollit ka mbyllur bashkëpunimin me trajnerin Gent Mahmuti në drejtimin e Kombëtares shqiptare U-15. FSHF e falënderon Mahmutin për kontributin dhe punën e bërë me ekipin kombëtar të kësaj grupmoshe, duke i uruar suksese në karrierën e tij të mëtejshme.

Pas vlerësimit të bërë nga Drejtoria Teknike, Federata e Futbollit ka vendosur t’ia besojë drejtimin e Kombëtares U-15 trajnerit Bledar Borova.

Borova është një emër i njohur në futbollin e moshave në Shqipëri, me një eksperiencë të gjatë në zhvillimin e talenteve të rinj. Ai ka punuar për vite me radhë në Akademinë e Apolonisë, ku ka drejtuar ekipet e grupmoshave të ndryshme dhe ka mbajtur gjithashtu detyrën e drejtorit të akademisë. Gjithashtu, Borova ka qenë edhe pjesë e stafit teknik të Kombëtares U-19, ku ka kontribuar në procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj.

Emërimi i tij është në përputhje me strategjinë e Drejtorisë Teknike të FSHF-së për forcimin e strukturave të ekipeve kombëtare të moshave dhe vijimin e punës për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin e futbollistëve që përbëjnë të ardhmen e futbollit shqiptar.

Borova do të nisë menjëherë punën me Kombëtaren U-15 në kuadër të aktiviteteve dhe grumbullimeve të planifikuara për sezonin e ri.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme