Reagimi në kohë shmang kërcënimin për zonat e banuara, zjarrfikësit izolojnë flakët në lagjen “Gerhot” të Gjirokastrës
Një vatër zjarri e shpërthyer në lagjen “Gerhot” të Gjirokastrës ka vënë në lëvizje mbrëmjen e sotme shërbimet e emergjencës. Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim (MZSH) Gjirokastër u njoftua në orën 19:59 nga një qytetare për praninë e flakëve në një zonë me shkurre dhe barishte.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, grupi i shërbimit të MZSH-së u nis me shpejtësi drejt vendngjarjes. Falë një ndërhyrjeje të koordinuar dhe mjaft të shpejtë të efektivëve zjarrfikës, vatra e zjarrit u izolua brenda një kohe të shkurtër dhe u shua plotësisht përpara se flakët të merrnin përmasa të rrezikshme apo të kërcënonin zonat e banuara aty pranë. Fatmirësisht, nga ky incident nuk u shënua asnjë dëm material apo në njerëz.
Përmes një komunikate, Drejtoria e MZSH-së Gjirokastër ka shprehur një falënderim të veçantë për qytetarët që sinjalizojnë në kohë këto rreziqe. Njëkohësisht, autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri për parandalimin e zjarreve, veçanërisht gjatë kësaj periudhe të nxehtë të verës ku temperaturat e larta rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve.



/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




