Rama mbledh drejtuesit politikë të PS-së në qarqe, në fokus reforma territoriale
Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur këtë të hënë (27 korrik ) në selinë rozë drejtuesit politikë të qarqeve si dhe përfaqësues të kabinetit qeveritar për të diskutuar mbi reformën territoriale, pas mungesës së një dakordësie me opozitën për uljen e numrit të njësive administrative në territor nga 62 në të paktën 10 ose 12 më pak.
Sikurse raporton gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, kjo mbledhje nuk e përjashton mundësinë që Rama të diskutojë me drejtuesit politikë të PS-së edhe në lidhje me programin “Besa”që prezantoi së fundmi në Pallatin e Kongreseve, bazën e të cilit tha se do ta diskutonte fillimisht me bashkëpunëtorët, më pas do t’ua paraqiste deputetëve të mazhorancës dhe, në fund, do ta prezantonte për publikun. Drafti Besa është një qasje e re në mënyrën e qeverisjes në mandatin e katërt, më empatike me qytetarët dhe për të ndryshuar rrënjësisht atë përvojë të deritanishme për të qenë më afër tyre dhe për të bashkëpunuar më ngushtë me ta.
Po ashtu,gazetarja bën të ditur se takimi përkon edhe me seancën parlamentare, ku pritet që socialistët të miratojnë marrëveshjen që kanë me SHBA-në sa i takon forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë, në kuadër të angazhimeve që vendi ynë ka marrë si pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




