SPAK dhe GJKKO mbyllin çështjen e tenderave 1 milion euro në Bashkinë Divjakë, dënohen 6 zyrtarë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin përfundimtar për dosjen e dërguar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në ngarkim të gjashtë zyrtarëve të Bashkisë Divjakë. Hetimi i SPAK lidhej me 3 procedura tenderimi me një vlerë totale prej rreth 1 milion euro, ku mes të pandehurve përfshihej edhe Elbareta Nishica, me detyrë drejtoreshë e planifikimit të zhvillimit të territorit.

Të gjashtë zyrtarët — Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini — u deklaruan fajtorë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.

Vendimi nr. 62, i datës 28.07.2026, u dha nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Bib Ndreca dhe Paulin Çera, pas zhvillimit të procesit me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Dënimet me burg dhe ulja e masës nga gjykimi i shkurtuar

Gjykata caktoi fillimisht një dënim prej 1 viti burgim për secilin prej të pandehurve. Përmes aplikimit të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale për gjykimin e shkurtuar, masa u ul me 1/3.

“Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.”, thuhet në vendim.

Masa përfundimtare prej 8 muajsh burgim u caktua për të gjashtë të pandehurit: Dorjan F. Spaho, Sara F. Xhepa, Roklejd Y. Malko, Fatos H. Veliu, Elbareta A. Nishica dhe Vojsava I. Leçini.

Ekzekutimi i dënimit me burgim u pezullua për të gjithë të pandehurit, duke u zëvendësuar me masa alternative të ekzekutimit.

120 orë punë në interes publik për tre të pandehur

Për të pandehurit Dorjan F. Spaho, Sara F. Xhepa dhe Roklejd Y. Malko, Gjykata vendosi zëvendësimin e burgimit me punë pa shpërblim.

“Urdhërohet i pandehuri Dorjan F. Spaho, Sara F. Xhepa, Roklejd Y. Malko, të kryejë 120 (njëqind e njëzet) orë punë në interes publik dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.”, theksohet në vendim.

Kjo punë duhet të përmbushet brenda një afati prej 6 muajsh, nën monitorimin e Shërbimit të Provës.

Për tre të pandehurit e tjerë — Fatos H. Veliu, Elbareta A. Nishica dhe Vojsava I. Leçini — Gjykata piqet për pezullimin e dënimit dhe vënien e tyre në provë për një periudhë 16-mujore.

Përveç kësaj, ndaj tyre u vendos edhe dënimi plotësues i heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione në administratën publike:

“Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vitesh.”, thuhet në vendim.

Sipas njoftimit të GJKKO-së, shpenzimet proceduriale të hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare. Të dënuarve u lihet e drejta e ankimimit brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme