Shqiptari fluturon mbi centralin bërthamor në Francë, arrestohet nga policia, dyshime për spiunazh

Aktualitet | 3 muaj më parë

Një ngjarje e pazakontë ka vënë në alarm autoritetet franceze të sigurisë, pasi një shtetas shqiptar, Ermal Beqiri, u arrestua pasi fluturoi në mënyrë të paligjshme mbi një nga objektet më të ndjeshme të infrastrukturës energjetike në vend. Beqiri ishte shpallur në kërkim edhe nga SPAK, i akuzuar për disa vepra penale.

Sipas të dhënave, avioni i tij i vogël civil fluturoi mbi centralin bërthamor Penly, në zonën Petit-Caux të rajonit Seine-Maritime, në një lartësi më të ulët se limiti ligjor i lejuar për hapësirat e mbrojtura ushtarake dhe strategjike.

Incidenti ajror dhe ulja e menjëhershme e lartësisë

Manovra e papritur e mjetit fluturues ngriti menjëherë alarmin te sistemet e monitorimit të hapësirës ajrore. Të dhënat tregojnë se piloti bëri një ulje të qëllimshme në lartësi gjatë kohës që ndodhej mbi hapësirën e centralit:

“Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3,700 këmbësh (afërsisht 1,200 metrash), piloti papritmas uli hundën e avionit në 3,500 këmbë, një lartësi nën limitin ligjor për fluturimin mbi vende të ndjeshme.”, raporton media franceze Le Journal du Dimanche.

Ndërhyrja e Forcave Ajrore dhe gjetja e pajisjeve të dyshimta

Pas konstatimit të shkeljes së hapësirës ajrore, u aktivizua menjëherë protokolli i sigurisë kombëtare. Forcat Ajrore dhe Hapësinore franceze dërguan një ushtarak për të ndjekur dhe shoqëruar aeroplanin civil deri në ulin e tij.

Mjeti ajror u detyrua të ulej në aeroportin Albert në rajonin e Somme, ku policia franceze po priste në pistë për të kryer arrestimin e menjëhershëm të pilotit shqiptar.

Gjatë kontrollit fizik dhe të mjetit, hetuesve u ranë në sy disa detaje që shtuan dyshimet mbi qëllimin e vërtetë të fluturimit:

“Pilotit iu gjetën tre pajisje gjurmimi me vete.”, shkruan JDD.

Hetimet për spiunazh

Profili i shtetasit shqiptar dhe prania e pajisjeve të gjurmimit kanë bërë që autoritetet të thellojnë hetimet në disa pista.

Sipas burimeve të policisë franceze, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë e një akti spiunazhi industrial apo ushtarak, ndërsa i dyshuari ndodhet në kushtet e paraburgimit ku po i nënshtrohet marrjes në pyetje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme