Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad dënohet me vdekje në mungesë për krime lufte dhe kundër njerëzimit

Botë | 3 muaj më parë

Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, është dënuar me vdekje në mungesë nga një gjykatë siriane, nën akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Vendimi i gjykatës kundër Assadit, i cili u largua me familjen e tij drejt Moskës, ndërsa forcat e udhëhequra nga islamistët iu afruan Damaskut në dhjetor 2024, është i pari i dhënë nga autoritetet kalimtare. Këto të fundit kanë nisur këtë vit gjykimin e zyrtarëve të qeverisë së mëparshme, si në prani të tyre, ashtu edhe në mungesë.

Gjykata dënoi gjithashtu Atif Najib, një zyrtar i epokës së Assadit, me vdekje për “krime kundër njerëzimit” të kryera gjatë kohës kur ai ishte përgjegjës për sigurinë në provincën Daraa, vendlindja e kryengritjes së vitit 2011 në Siri.

Gjykata e shpalli Najibin, kushëri të udhëheqësit të rrëzuar Bashar al-Assad, fajtor për disa krime, përfshirë vrasjen, “vrasjen e qëllimshme të fëmijëve nën moshën 15 vjeç” dhe “torturën që çoi në vdekje”.

Najib u akuzua për drejtimin e shtypjes së protestave në provincën jugore të Daraas në vitin 2011, ku adoleshentë u arrestuan dhe u torturuan pasi kishin shkruar grafite kundër regjimit.

Ngjarja në Daraa u shndërrua në një kryengritje masive kundër regjimit të Assadit dhe më pas në luftën civile siriane, e cila vazhdoi deri në rrëzimin e qeverisë së tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme