Zjarri në Gurë-Lurë nën kontroll, kryebashkiaku Spahiu: Dyshojmë për zjarrvënie të qëllimshme, rreth 10 hektarë të djegura

Aktualitet | 2 muaj më parë

Kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu ka bërë me dije se zjarri që përfshiu zonën e Gurë-Lurës në Dibër është vënë nën kontroll, pas një operacioni intensiv nga toka dhe ajri, ku u angazhuan forca zjarrfikëse, punonjës të Bashkisë së Dibrës dhe vullnetarë. Dy avionë ndërhynë nga ajri për të neutralizuar vatrat më problematike, ndërsa puna për monitorimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrave vijon ende.

Spahiu deklaroi për RTSH24 se situata tashmë është nën kontroll, duke theksuar se ndërhyrja e koordinuar e forcave në terren dhe e mjeteve ajrore ka bërë të mundur frenimin e përhapjes së flakëve.

“Sapo e kemi vënë nën kontroll zjarrin, falë dy avionëve dhe forcave të shumta në terren, zjarrfikësve, vullnetarëve dhe punonjësve të bashkisë. Puna vazhdon ende edhe nga avionët, për të siguruar që vatra të mos riaktivizohet”, u shpreh Spahiu.

Ai bëri të ditur se menaxhimi i situatës është bërë në koordinim me strukturat e emergjencave, ndërsa gjatë gjithë operacionit janë zhvilluar takime të vazhdueshme me Prefekturën e Qarkut Dibër dhe strukturat përgjegjëse për emergjencat civile.

“Masat kanë qenë në vazhdimësi. Kemi pasur takime me prefektin dhe kemi edhe drejtorin e emergjencave civile këtu. Me mbylljen e kësaj vatre, situata në Lurë do të jetë nën kontroll”, deklaroi kryebashkiaku.

Spahiu ngriti dyshime për mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar qëllimisht. Sipas tij, organet ligjzbatuese kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personit apo personave përgjegjës.

“Dyshojmë për zjarrvënie të qëllimshme. Organet ligjzbatuese po bëjnë punën e tyre dhe shpresojmë të gjejmë autorin”, tha ai.

Ndërkohë, terreni i vështirë vijon të përbëjë një rrezik të shtuar për forcat që po punojnë për kontrollin përfundimtar të situatës. Spahiu theksoi se rrëshqitjet e gurëve dhe prania e drurëve të djegur krijojnë kushte të pasigurta për ndërhyrjen në terren. Sipas kryebashkiakut, zjarri ka prekur kryesisht një sipërfaqe të zhveshur, me gurë, shkurre dhe bar të thatë. Paraprakisht, thekson ai, sipërfaqja e djegur llogaritet në rreth 10 hektarë, ndërsa përpjekjet janë përqendruar në parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave me pisha.

“Terreni është shumë i vështirë, ka rrëshqitje gurësh dhe dru të djegura që përbëjnë rrezik. Ka qenë më shumë zonë e zhveshur me gurë dhe bar të thatë. Afërsisht 10 hektarë janë djegur, shkurre dhe bar i thatë. Po mundohemi që të mos na hyjë zjarri në pisha”, u shpreh Spahiu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme