Zjarret- 9 vatra  aktive, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Dajt ndërhyhet nga ajri me 2 helikopterë. Në Gurë-Lurë të Dibrës, 246 forca tokësore dhe 2 avionë

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend. Deri në orën 14:00 janë regjistruar 12 vatra zjarri, prej të cilave 9 vijojnë të jenë aktive, 2 janë nën monitorim dhe 1 është shuar plotësisht.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 285 forca operacionale, të mbështetura nga 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.

Në Dajt vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Në terren janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, zjarri në zonën e Priskës, Farkës, Lundrës dhe Gurrës së Madhe është vënë nën kontroll dhe po monitorohet nga forcat operacionale.

Një nga operacionet kryesore vijon në Gurë-Lurë, ku në terren janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 forca të ADZM-së Dibër, 15 efektivë të MZSH-së Dibër, 50 efektivë të FA-së dhe 2 avionë Air Tractor.

Hapja e korridoreve me fadroma dhe forca operacionale ka bërë të mundur ndalimin e përparimit të flakëve drejt banesave. Aktualisht, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë Helmes vijon ndërhyrja me 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.

Nga krahu i fshatit Bulqizë zjarri është shuar, ndërsa mbetet aktiv nga krahu i Selishtës. Edhe në këtë zonë, banesat nuk janë të rrezikuara.

Në Krujë, vatra në Abaze mbetet aktive, por me intensitet të ulët, ndërsa zjarri në Zidoll vijon të jetë nën monitorim.

Në Lufaj të Mirditës po punohet për hapjen e korridoreve ndarëse, me qëllim shmangien e çdo rreziku për banesat. Ndërkohë, zjarri pranë stacionit të trenit në Mamurras është shuar plotësisht, pas ndërhyrjes së strukturave operacionale.

Forcat vijojnë punën edhe në Fushë-Lajë të Pukës, Sotirë në Dropull, Gjormë në Selenicë dhe Dardhë të Librazhdit, ku operacionet janë përqendruar në izolimin dhe shuarjen e vatrave.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, në të gjitha këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme