Maroku bllokon tentativën e emigrantëve për të hyrë në Ceuta, operacione sigurie dhe masa të rrepta në kufi

Europë | 3 muaj më parë

Forcat marokene të sigurisë kanë ndërhyrë për të shpërndarë qindra emigrantë që tentuan të kalonin kufirin drejt enklavës spanjolle të Ceutës, pas një përpjekjeje të organizuar në zonën e lartësive mbi qytetin bregdetar të Fnideq-ut. Për të përballuar situatën dhe për të shpërndarë turmën e pozicionuar vetëm pak kilometra larg vijës kufitare, autoritetet vendase përdorën gaz lotsjellës.

Sipas raportimeve nga agjencia e lajmeve EFE, situata aktuale ndodhet nën kontroll. Nga përplasjet e regjistruara nuk raportohet për persona të lënduar, ndonëse forcat e rendit kanë kryer disa arrestime.

Pamjet e transmetuara nga televizioni publik spanjoll TVE shfaqin disa qindra emigrantë subsaharianë që përpiqen të avancojnë nga terreni kodrinor, ndërsa monitorohen nga një prani e dense e forcave policore, anëtarëve të Xhandarmërisë Mbretërore Marokene dhe dronëve vëzhgues. Në anën tjetër të kufirit, ushtria spanjolle ka vendosur automjete ushtarake si masë parandaluese.

Kjo ndërhyrje vjen pas një mobilizimi masiv të forcave të rendit në zonë, me mijëra oficerë të vendosur në terren për të parandaluar hyrjet masive, pas thirrjeve të shpërndara ditët e fundit në rrjetet sociale. Pavarësisht operacioneve të sigurisë, burimet vendase konfirmojnë se një pjesë e emigrantëve vijon të qëndrojë ende në territorin përreth.

Forcimi i masave të sigurisë vjen si reagim i drejtpërdrejtë ndaj krizës së rëndë të regjistruar në fund të muajit korrik, ku dhjetëra mijëra persona tentuan kalimin e kufirit.

“Masat e sigurisë u shtrënguan pas krizës së 30 dhe 31 korrikut, kur afërsisht 80,000 emigrantë kaluan kufirin, duke rezultuar në 82 vdekje në anën spanjolle,” bëjnë me dije të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Ceuta, i cili ka kryer autopsitë mbi trupat e pajetë. Ndërkohë, organizatat humanitare raportojnë për pasojat edhe më të rënda të këtij tranzicioni. “Të paktën 141 viktima janë raportuar në të dyja anët e kufirit,” vlerëson organizata Caminando Fronteras, duke nëvizuar përmasat e krizës njerëzore në këtë pikë strategjike të migrimit drejt Europës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme