Abissnet Superiore në RTSH/ Laçi dhe Elbasani ndahen në paqe

Abissnet Superiore | 2 muaj më parë

Është mbyllur në barazim 1-1 sfida Laçi-Elbasani, e vlefshme për javën e parë të kampionatit. Gjithçka ndodh në pjesën e dytë. Verdheblutë kalojnë në avantazh me Hebajn, por kurbinasit përgjigjen me një perlë të Cenës. Nuk ka fitues në sfidën që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport.

Vendasit nisin shumë mirë ndeshjen dhe gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 9-të, por goli i Kalajt anulohet për pozicion jashtë loje.

Laçi luan më mirë dhe i afrohet golit me Traore dhe Olatunde, por pa arritur që të mposhtë portierin Aleksovski. Mbyllet në barazim 0-0 pjesa e parë.

Miqtë nisin më mirë pjesën e dytë dhe i afrohen golit me Tresën. Boriçi pengohet në zonë dhe për gjyqtarin Lata s’ka dyshime: penallti për Elbasanin. Rubin  Hebaj tregohet i saktë nga 11-metrat dhe kalon miqtë në avantazh.

Laçi mundohet të reagojë dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit. Bido flirton me golin, por nuk arrin që të shënojë.

Cena shënon një gol shumë të bukur dhe rikthen baraspeshën. Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, nuk ka ndryshim rezultati dhe sfida mbyllet në barazim 1-1.

Laçi dhe Elbasani ndajnë nga një pikë në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Abissnet Superiore.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme