Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: 6 vatra zjarri ende aktive, 214 forca dhe 2 avionë në gatishmëri
Ministria e Mbrojtjes ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë regjistruar 33 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive dhe 10 mbahen nën mbikëqyrje.
Sipas Ministrisë, për menaxhimin e situatës janë angazhuar 214 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 60 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator të rëndë me zinxhir, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Operacionet janë përqendruar kryesisht në qarqet Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër dhe Durrës.
Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja për shuarjen e vatrave ende aktive, pa rrezik për zonat e banuara.
Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun të Bashkisë Pukë, ndërhyrja është kryer me forca vendore dhe të FA-së, ku gjatë ditës janë dislokuar edhe 40 efektivë dhe një helikopter për mbështetje nga ajri. Situata është vënë nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa vatra në Prozhëm vijon aktive dhe po punohet për izolimin e saj.
Në qarkun Dibër, vatrat në Ballenjë dhe Qafë të Helmës mbeten aktive, ndërsa ajo në Bërshi mbahet nën mbikëqyrje.
Në Mirditë, vatra në Shtuf vijon aktive, ndërsa ato në Lufaj dhe Tenë janë izoluar dhe po monitorohen. Strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor vijojnë angazhimin në terren, me prioritet izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive, si dhe parandalimin e riaktivizimeve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, duke vendosur në prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




