Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra aktive dhe 7 nën mbikëqyrje. Mali i Dajtit, në fokus

Aktualitet | 2 muaj më parë

Mali i Dajtit mbetet një nga zonat kryesore ku po vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve, ndërsa në të gjithë vendin janë raportuar 18 vatra, 5 prej të cilave janë ende aktive. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet në përmirësim, ndërsa në terren janë angazhuar 216 forca operacionale dhe 8 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 70 efektivë, mjete të rënda dhe dy helikopterë. Në Malin e Dajtit po ndërhyjnë 30 efektivë të FA-së dhe 30 zjarrfikës, me mbështetje ajrore. Pavarësisht terrenit të vështirë, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Pukë, zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar, ndërsa vatra në Prozhëm është drejt shuarjes. Në Dibër vijojnë aktive vatrat në Ballenjë dhe Qafën e Helmës, ndërsa zjarri në Bërshi është shuar. Në Lezhë janë fikur vatrat në Lufaj dhe Shtuf, ndërsa Kalivaçi dhe zona e Tenës vijojnë nën mbikëqyrje.

Në Elbasan dhe Vlorë vijon monitorimi i disa vatrave pa rrezik për banesat. Ndërkohë, një vatër e re është raportuar në malin e Luzatit në Tepelenë, ku po ndërhyjnë strukturat zjarrfikëse vendore.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 të datës 24 gusht 2026, situata e zjarreve paraqitet në përmirësim, me 18 vatra të raportuara, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 7 janë nën mbikëqyrje. Në operacionet e sotme janë angazhuar 216 forca operacionale dhe 8 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin ndërhyrjet me 70 efektivë, 1 automjet zjarrfikës, 1 ekskavator të rëndë dhe 2 helikopterë. Vëmendja kryesore mbetet në Malin e Dajtit, ku vijon ndërhyrja me 30 efektivë të FA-së, 30 zjarrfikës dhe mbështetje nga ajri me helikopter; pavarësisht terrenit të vështirë, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Pukë, situata ka shënuar përmirësim të ndjeshëm: zjarri në Gjegjan, Gojan i Vogël dhe Gojan i Madh është shuar plotësisht, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet shumë të ulët dhe është drejt shuarjes. Në zonë janë angazhuar forca vendore, vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur nga mjete dhe 1 helikopter. Në Qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Ballenjë dhe Qafën e Helmës, pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa zjarri në Bërshi është shuar plotësisht. Në Qarkun Lezhë, vatrat në Lufaj dhe Shtuf janë deklaruar të fikura, ndërsa Kalivaçi dhe zona e Tenës mbahen nën mbikëqyrje.

Në Elbasan dhe Vlorë vijon monitorimi i disa vatrave pa rrezik për banesat, ndërsa një vatër e re aktive është raportuar në malin e Luzatit, Tepelenë, ku po ndërhyjnë strukturat zjarrfikëse vendore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme