Makinat e vjetra largohen nga rrugët e Korçës, më pak ndotje dhe më shumë siguri rrugore
Sipas Bankës Botërore, niveli i motorizimit është rritur me 122% gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa nga automjetet e regjistruara në vend, 91% janë më të vjetra se 10 vjet dhe pjesa tjetër, e kanë kaluar moshën 20-vjeçare.
Mosha e lartë e mjeteve sjell kosto ekonomike, rrit konsumin e karburantit, ndikon në sigurinë rrugore dhe në ndotjen e mjedisit.
Ndërsa në nivel kombëtar nevojiten masa për rinovimin e flotës, nxitjen e automjeteve elektrike, forcimin e transportit publik dhe përmirësimin e sigurisë rrugore, në Korçë procesi i çregjistrimit të mjeteve të amortizuara po sjell ndryshime konkrete.
Dhjetëra automjete të vjetra janë nxjerrë jashtë përdorimit, duke ulur moshën mesatare të flotës dhe duke kontribuar në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Sipas të dhënave të fundit, një numër i konsiderueshëm automjetesh të amortizuara dhe me moshë të lartë janë nxjerrë jashtë përdorimit.
Për vitin që lamë pas, çregjistrimi i përhershëm është bërë për rreth 220 mjete me moshë kryesisht mbi 20 vjeçare. Sipas specialistëve, ky proces pritet të ndikojë pozitivisht si në cilësinë e ajrit, ashtu edhe në sigurinë e qarkullimit rrugor.
Çregjistrimi i mjeteve të vjetra dhe zëvendësimi i tyre me automjete më të reja shihet si një hap i rëndësishëm drejt një transporti më të sigurt, më ekonomik dhe më pak ndotës, duke kontribuar në një qytet më të pastër dhe më të jetueshëm.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




